Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Briken Sanajt, ndodhur një natë më parë te Kodra e Diellit në Tiranë.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.

Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua. Për shkak të konfliktit, pista kryesore ku po hetohet për vrasjen është hakmarrja, ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve.

39-vjeçari pak minuta para mesnate ai është qëlluar nga një makinë tip “Benz” në lëvizje. Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur  në trotuar.

Autorët janë afruar me makinë dhe nga një distancë  e afërt e kanë qëlluar me breshëri me kallashnikov.

Sanaj ka tentuar t’i shmanget plumbave por nuk ka mundur, ndërsa është dërguar i pajetë  në spital me plagë në trup. Persona që kanë qenë në vendngjarje i kanë ardhur në ndihmë duke e nisur për në spital.

Autorët kanë arritur të largohen dhe makina e tyre  tip “Benz” u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një kallashnikov.

Sipas informacioneve, makina ishte me targa të vjedhura vetëm pak ditë më parë në Tiranë.

Viktima ka më shumë se një vit që ishte rezident në “Kodrën e Diellit”, ndërsa përdorte edhe identitetin Anton Gjini.

39-vjeçari një natë më parë ishte fillimisht në Lezhë, në dasmën e kushëririt të tij. Kur ka mbaruar dasma, ata kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti.

 

 

FOTO GALERI
1/10

Top Channel