Sinjalet e para se trazirat, të cilave u druhet kaq shumë Perëndimi, mund të shpërthejnë vërtet në Kosovë, erdhën nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili paralajmëroi bllokimin e rrugëve në veri nëse Prishtina ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.
Këto komente, Rakiç i bëri pas takimit të përfaqësuesve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd.
“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore. Presidenti Vuçiç pohoi se nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit. Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne në të vërtetë, atë kërkojmë, por pastaj nuk e dimë sesi mund të shndërrohet kjo në diçka tjetër dhe si do të zhvillohet situata në terren”.
As unë nuk e di dhe askush nga ne që jetojmë atje poshtë nuk e dimë se çfarë kthese do të marrë situata nëse dikush me dhunë fillon të na marrë pronën”, përsëriti dy herë ai. Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe Vuçiç vjen pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e makinave në Kosovë. Nga 1 shtatori, Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës.
Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë se makinat me targa serbe nuk do të lejohen që të qarkullojnë në territorin e vendit.
Top Channel