Disa ditë pas vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti, Agjencia e Mbikqrjes Policore i dorëzoi provat në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal për 2 vepra penale.
Mosdhënia e ndihmës dhe veprimet arbitrare dyshohet se kanë sjellë vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti pasi u shoqërua nga policia e Tiranës. Prokuroria njofton se deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar një sërë provash si: kartela mjekësore e Lear Kurti, për të verifikuar nëse ai vuante nga ndonjë sëmundje , procesverbali i këqyrjes së kufomës për të parë nëse ka pasur ndonjë dëmtim si dhe pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare të Traumës.
Në interes të hetimit janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të ngjarjes të gjithë personat që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me Lear Kurtin.
Ekspertët mjekoligjorë kanë nxjerrë një përgjigje edhe për mbetjet e gjetura në qesen plastike që u sekuestrua nga stomaku i 32 vjeçarit pas kryerjes së autopsisë.
Nga akt- ekspertimi kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.
Në filtrin e hetimeve të prokurorisë do të kalojnë dhe mjekët dhe infermierët e spitalit të traumës të cilët kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e Lear Kurtit në spital.
Përveç veprimeve hetimore të udhëhequra nga prokuroria. Agjencia e Mbikqrjes Policore po verifikon veprimet e policëve që ishin në punë mbrëmjen e 19 tetorit dhe shoqëruan 32-vjeçarin Lear Kurti. AMP po verifikon nëse policët kishin kryer instruktazhin dhe nëse e kishin në planin e punës patrullimin në rrugën riza cuka.
Një hetim i pavarur po kryhet dhe nga Avokati i Popullit, me një ekip që ka intervistuar zyrtarët policorë të përfshirë në ngjarje si dhe ka këqyrur dokumentacionin përkatës.
Top Channel