Fushata e ashpër e zgjedhjeve presidenciale në Brazil ka marrë dje një kthesë të dhunshme pasi një aleat i presidentit të djathtë në pushtet Jair Bolsonaro përdori armën dhe granatë dore për t’u mbrojtur nga oficerët e policisë që donin ta arrestonin.
Roberto Jefferson aleat i Bolsonaro-s, tha se po i rezistonte arrestimit “në emër të lirisë, të demokracisë dhe vlerave familjare.”
Ish-kongresmeni Jefferson, njihet si “mik personal” i Bolsonaro dhe nisi sulmin e tij kur policia zbarkoi mbrëmë në shtëpinë e tij në veri të Rio de Janeiro.
Dy oficerë raportohej se pësuan lëndime te lehta nga granata, ndërsa në pamje nga vendngjarja shihej një automjet i policisë federale të i goditur nga shumë plumba.
“Qëllova ndaj makinës kur ata u afruan,” thotë politikani i djathtë në një video online , ku pretendon se po i rezistonte arrestit “në emër të lirisë, demokracisë dhe vlerave familjare”.
Presidenti Bolsonaro ka akuzuar më parë një pjesë të pushteteve si ai gjyqësor dhe legjislativ se po tentojnë të sabotojnë fushatën e tij të rizgjedhjes.
Jefferson është burgosur më parë në 2021 në lidhje me fushata anti-demokratike në rrjetet sociale dhe ishte aktualisht në arrest shtëpie.
Por të dielën Gjykata e Lartë vendosi se ai duhet të rikthehej në burg, pasi publikoi një shkrim ku ofendonte një anëtare të gjykatës së Brazilit, duke e krahasuar ate me Luciferin (djalli) dhe duke e quajtur “prostitutë”.
Kur policia trokiti në derën e Jefferson mbrëmjen e të dielës, ai rezistoi për të mos u arrestuar.
Bolsonaro fillimisht e quajti incidentin një ‘episod i pafat’, por pas zemëratës së gjerë publike edhe presidenti ashpërsoi qëndrimin ndaj aleatit të tij, e gjithashtu ndaj gjykatave të vendit.
Jefferson rrjedhimisht u arrestua pas disa orë konfrontimi.
Të dielën që vjen kryhet raundi final i zgjedhjeve ku Bolsonaro konkurron ish-presidentin Luiz Inácio Lula da Silva.
Ditët e fundit të dy kandidatët kanë bërë turne elektorale në disa qytete juglindore si Minas Gerais, Rio e São Paulo, ku banojnë më shumë se 60 milionë votues, ndërsa të enjten do të debatojnë përballë njëri-tjetrit në Rio.
Top Channel