Detajet / Mashtronin të huajt që të investonin në bursa, tre në pranga! Pagesat e klientëve kryheshin në banka dhe BitCoin

19/10/2022 12:36

Administratori dhe dy operatorët e një call centeri në Tiranë kanë rënë në pranga, pasi mashtronin shtetas gjermanë dhe spanjollë për të investuar në bursa.

Gjatë operacionit  të koduar “Last Call”, u arrestuan në flagrancë administratori i biznesit Doris Telhallari, 35 vjeç, dhe dy operatorët  Eldjon Lleshi dhe Ergi Ali përkatësisht 28 vjeç dhe 23 vjeçe, të tre banues në Tiranë.

Policia shpalli në kërkim pronarin e subjektit, të cilin nuk e kishte regjistruar në organet tatimore.

Policia sekuestroi 4 kompjutera, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj të cilët janë mashtruar, për të investuar në bursa Forex.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal nr.3230 viti 2022 për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Fshehjes së të ardhurave”.

Pas hetimeve, u arrit të zbulohej se në rrugën ‘Frosina Plaku’ është gjendur një ambient me fasadë xhami brenda së cilës kishte orendi të ndryshme që shiteshin, në një cep të këtij ambienti janë gjendur tre kompjuterë të ndezur ku në pamjen kryesore të tyre kishin një numërator që shërben për thirrje telefonike dhe një databazë klientësh.

Në krah të kompjuterave ka pasur blloqe shënimesh brenda të cilave ka pasur informacion për veprimtarinë e Forex pasi janë përshkruar informacione për cdo telefonatë të thirrur, shumën e depozituar dhe arsyen pse klienti pranonte apo refuzonte në lidhje me transaksionin.

Në momentin e hyrjes në ambient janë gjetur tre personat të pozicionuar para kompiuterave.

Në njërin prej kompjuterave ka qënë dhe një USB me numra të llogarive dhe transaksioneve bankare dhe foto kartash identiteti të klientëve.

USB-ja gjithashtu ka pasur dhe databazë klientësh me të dhëna personale të tyre.

Në vijim janë administruar biseda ku flitet dhe udhëzohet për platforma nga ku merreshin nga shtetas të huaj kundrejt përqindjes, transaksione dhe llogari bankare.

U arrit të dokumentohej se pagesat bëheshin në mënyra të ndryshme në banka të ndryshme të huaja si në Poloni, UK, Abu Dabi etj si dhe u arrit të dokumentohej se pagesat bëheshin dhe në BitCoin

Dyshohet se shtetasit e ndaluar shërbenin si bërthamë operative administrimi të platformave Forex që më pas shpërndaheshin në operatorë të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA