Goditet një rast i mosdeklarimit të mallrave në Doganën e Durrësit, 8 motoçikleta pa dokumentacion shoqërues

04/07/2026 11:09

Strukturat verifikuese të Doganës së Durrësit, në bashkëpunim me sektorin e Antikontrabandës, kanë goditur një rast të mosdeklarimit të plotë të mallrave gjatë procedurave doganore.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë skanimit dhe kontrollit fizik të një ngarkese u konstatuan tetë motoçikleta të padeklaruara, të cilat nuk ishin përfshirë në dokumentacionin shoqërues të deklarimit.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi, për këtë shkelje u hartua procesverbali për kundërvajtje administrative, ndërsa autoritetet doganore llogaritën detyrimin doganor të munguar dhe vendosën sanksionet përkatëse, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.

Top Channel