Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës një skandal me lejet e shfrytëzimit të plazhit në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, në Ksamil.

E ashtëquajtura “lufta e shezlongëve” është zhvendosur në skajin më jugor të hapësirës detare të vendit tonë, teksa dy persona burrë e grua, po “luftojnë” prej gati dy vitesh me disa persona, të cilët pretendojnë se janë “pronarë të detit” në Ksamil.

Megjithëse kanë marrë lejen nga KKT-ja për të vendosur edhe një strukturë druri, ata janë penguar nga individë privatë, por edhe nga policia bashkiake dhe ajo e rendit. Denoncuesit tregojnë kalvarin e gjatë të stacionit të plazhit, të cilin e kanë përdorur që nga vitit 2008. Tregojnë pazaret me punonjës shtetërorë për të mos ua prishur, por edhe pazaret me punonjës bashkie, të cilët u kërkojnë para’ në formë ryshfeti për t’ua rinovuar lejen.

Një inxhinier i Urbanistikes në Bashkinë e Sarandës u ka kërkuar ryshfet, pasi do t’ua jepte “atyre në Tiranë”. Në audio-përgjim mes qytetarëve dhe inxhinierit, ky i fundit tregon pazaret sa marrin inspektorët e IKMT-së për të mos prishur ndërtime pa leje.

“Lufta e shezlongëvë” në Ksamil!

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua zonja Sofia Doda, e cila ka një stacion plazhi në Ksamil të Sarandës. Sofia tregon se këtë stacion e ka pasur që nga viti 2008 dhe e kanë shfrytëzuar për vite me radhë. Ndërkohë, në vitet 2020, 2021 dhe 2022 ajo është përballur me disa persona, të cilët janë hequr edhe si pronarë. Në vitin 2021 ajo ka tentuar që ta rimarrë plazhin, pas ndryshimit të administrimit, nga pushteti lokal në atë qendror. Por, nuk ka mundur, pasi i kanë thënë se “është pronë private”. Megjithatë, sipas dokumenteve, prona në Ksamil është e sekuestruar me vendim qeverie, pasi ka mbivendosje dhe konsiderohet “pronë shtet”.

Po në 2021, në tentativa për të marrë atë stacion, ajo është sorollatur sa në pushtetin qendror dhe lokal. Ajo ka takuar disa persona, të cilët i kanë kërkuar ryshfet. Njëri prej tyre është inxhinieri i urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Ariel Balani, tashmë me detyrë përgjegjës i Urbanistikës. Arieli i ka kërkuar 7 mijë euro, pasi do të ndërhynte “më sipër” që ajo ta merrte plazhin. Madje, këtë bisedë e ka edhe të dokumentuar, pasi disponon edhe një audio përgjim.

“Më jep ‘pakon’, jemi vonë”

Foti dhe Sofi Doda kanë shkuar në vitin 2021 në Bashkinë e Sarandës, ku janë pritur nga inxhinieri Ariel Balani, i cili ka marrë përsipër ndërhyrjen te Agjencia Kombëtare e Bregdetit në Tiranë.

Biseda mes Sofisë, burrit të saj dhe Arielit është zhvilluar në korrik të vitit 2021. Arieli u tregon se ata kanë probleme me kundërshtarët dhe kundërshtarët kanë paguar që Sofisë ti prishet ambienti. Madje, thotë se punonjësi i IKMT, që u ka shkuar për t’ia prishur, ka marrë lekë dhe lekët i ndan me zyrtarë të tjerë. Më tej u thotë se edhe ai ka paguar atë punonjës që mos t’i prishte dy katet e shtëpisë. “Më jepni pakot (lekët) që të shkoj t’ua jap. E mbyll unë me ta” u thotë ai, duke u kërkuar shuma të mëdha pasi “i duan ata te Tiranes”.

Në bisedë, Arieli u thotë se prona e “Rebit” është sekuestruar që në vitin 2009, pasi është ndarë me dokumente false. “Ça bën Rebi, ua shet të tjerëve. Këta të tjerët vijnë dhe u bëjnë juve këto gjëra. Ai ka dhënë lekë që ty të prishet” u thotë ai, ndërsa qytetarët i thonë se “po erdhi, kërkoi lekë”. “Ato lekët që kërkoi ne nuk i kishim, ishin 7500 euro” thonë qytetarët, duke shtuar se “ne nuk i dhamë, ai e bëri procedurën e prishjes, pastaj më mori 3 mijë euro në mars. Procedurën e kishte bërë, u bë një gjyq pa qenë neve fare”.

Kam leje nga KKT-ja, po s’më lejojnë!

Sofia tregon se stacionin e plazhit në Ksamil e ka prej vitesh. Ndërkohë, në vitin 2022 ka aplikuar sërish në Agjencinë e Bregdetit. Por, në të njëjtën sipërfaqe ka aplikuar edhe një person tjetër, Markelian Musai. Sipas vendimit të Agjencisë, subjekti Markelian Musai është s’kualifikuar, pasi s’ka pasur objekt ekzistues, ndërkohë që është kualifikuar Sofia për të ndërtuar. Ka dalë miratimi i strukturës së drunjtë nga KKT-ja, por deri më sot vetëm sa janë konfliktuar.

Qytetarja ka shkuar me dhjetëra herë tek Arieli por nuk është pritur nga ai.

Gazetarët e Fiks Fare tentojnë që të bisedojnë me këtë përgjegjës, por punonjësit e bashkisë u thonë se “ka dalë në terren”. Madje, kur e telefonojnë, ai përgjigjet se “s’keni për çfarë të flisni me mua”.

Mes qytetares dhe personave të tjerë ka pasur konflikt. Fiks Fare ka siguruar disa audio dhe video të përplasjes mes tyre. Por, policia nuk ka ndërhyrë. Gazetarët dhe qytetarët pyesin në Policinë e Sarandës se çfarë hetimi është bërë, nëse ka ndonjë hetim të hapur apo jo. Apo edhe për denoncimin për pronat. Por, deri më tani, denoncimet kanë ngelur në “sirtar”, duke lënë qytetarët në konflikt me njëri tjetrin.

Bisedë mes denoncuesëve dhe Ariel Balanit, përgjegjësit të Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës

Qytetarja – Ti të ishe në vendin tim tani, ti të investojë kaq lekë. Nuk është 5 mijë apo 10 mijë

Arieli – Nuk i lija gjërat në dorë të fatit.

Qytetarja – Po si të veproj?

Arieli – Do veja I pari, do jepja lekë dhe do merrja kontratën 5 vjeçare. Ose s’kam lekë, s’kam fuqi ta mbaj hap krahun

Qytetarja – Si skam fuqi?! Po unë hodha mbi 100 mijë euro atje.

Arieli – Po pse s’bëre një kontratë 5 vjeçare të mblidhje mendjen.

Qytetarja – Po unë e kërkoj me ligj, me të drejtë.

Arieli – Po lërë ligjin, s’ka me ligj këtu, jemi në Shqipëri. Ti sot në këtë ditë s’ke as kontratë asnjë gjë, të vijë tjetri dhe të ta marrë. Mund të bëhet plazh publik, mund të bëhet shumë gjëra. Çfarë mendim ti! Ti e ke shfrytëzuar 1, 2, 3 vjet. Mbaroi kontrata, shotë shteti hap krahun! Dhe to ia japë një tjetri.

Qytetarja – Shiko, tia jepja falas shtetit dakort. Po të vijë një tjetër dhe të më marrë djersën mua dhe të fëmijëve që kanë punuar…

Arieli – Shteti thotë o do ta marrë vetë ose do t’ia jap një tjetri. Se ti s je më pjesë e planit.

Qytetarja – Pse, çfarë kam bërë unë?

Arieli – E di si thua ti, pse kot japin (para) të tjerët o ti… Tani jemi në këto kushte. Unë s’jam Edi Rama, po të isha Edi Rama do ndryshojë 5 ligje. Unë Arieli jam, ai kështu e bëri çoi Sulën, uli tjetrin. Dje vajti ia mblodhi të gjithë shezlongët. O kanë lekë ata, o s’ka njeri. O fitojnë ata, o s’fiton njeri që ka 500 shezlongë. E di çdo të thotë?! Bëri kështu dhe vajti ia çoi (paratë). Edhe ata kështu thonë, pse do të japim ne lekë. Këta e kanë kështu, 1 vit s’ta japin, e kthejnë në plazh publik. Vitin tjetër ia japin dikujt tjetër që ti ske të drejtë fare, ata thonë është plazh. Po ndodhi 1 vit kjo punë, ti dole jashtë loje. Pastaj vitin tjetër do ta mbajë bashkia, apo do t’ia japë ndonjë tjetri, është histori tjetër. Këto ndodhin çdo sezon.

Qytetarja – Këto i ka bashkia?

Arieli – Jo, Ministria e Turizmit.

Qytetarja – Po ça di ministria nga Lart se çfarë dallavere bëhen këtu.

Arieli – Pse s’e jep ministria që të vazhdosh ti?!

Qytetarja – Se ka ndërhyrë ai tjetri.

Arieli – Po pra.

Qytetarja – Sepse ai thotë është imi, duke mos qenë fare.

Arieli – Kjo ndodh, vete ai atje, lobon. Jep kafenë dhe ti rri pastaj. Ça rri ti, mos prit se po kaloi kafenenë, ça do bësh ti?

Qytetarja – Po ju të bashkisë s’keni çfarë të bëni?

Arieli – Nuk kemi ç’të bëjmë se është ligj. Ne jemi organ vërtetues që mbajnë taksat e shtetit. Të tëra gjërat I bëjnë ata, kontratën e bëjnë ata

 

Qytetarja – Ku e dinë ata gjendjen?

Arieli – Ashtu thua ti, ata thonë kam inspektorët e mi, kam njerëzit e mi.

Qytetarja – Po ça inspektorësh, vijnë inspektorët që të japin lekë.

Arieli – E di se ç’muhabet po bëjmë ne tani, e di unë këtë muhabet. Hajde të flasim tërë ditën, ça do bëjmë ne…

Qytetari – Erdhëna ta, i plotësojnë ato?! Erdhi ai, plotësohen ato?

Qytetarja – Sa kështu (para)? Veçse të jetë garant?

Arieli – Ore jam unë në mes, unë u thashë dy gjëra. Unë jam një si ju tani, Se u bë muhabeti ta bëjmë deri në fund, se burrë e grua jeni ju dhe keni të drejtë. Unë do vete në Tiranë, di flas me njerëzit. Ma bëri, s’ma bëri. Do pres X ditë sa do më japin ata 5, 7, 1 javë . Në fund do marrim kontratën ose do kthejmë prapë lekët. Unë kaq muhabet, çtë të them.

Qytetarja – Vetëm fjalën e besës, se…

Arieli – jam shumë i besës, s’më njeh fare ti po…

Qytetarja – Dakord, po unë jam 60 vjeçe nuk jam Aventura që të ashtu . Ma kanë punuar…

Qytetari – Shtrija dorën.

Arieli – më njeh shumë mirë, e di si jam. Unë iki fare,

Qytetarja – Unë jam e moshës së mamasë tënde. Do të vinte mirë ty që djali im t’ua bënte mamasë tënde? Nuk dua që të kemi pleksje. Unë jam në të drejtën në fakt, po qe drejtësia kështu..

Arieli – Nuk është drejtësia ashtu, mos mendo se unë s’jam dakord me ato që thua ti. Ça do bëjmë tani.

Qytetari – 9 milionë ka shkuar ajo e INUK-ut.

Qytetarja – Dhe se kemi paguar gjobën, 16 mijë euro kishim në bankë dhe na I mori.

Qytetari – Bleva dhe gjërat atje, 8 a 9 milionë. Kam lënë dhe ujin pa paguar 1 milionë, lërid ritat.

Qytetarja – E di sa ashtu jemi neve, hapim gjyqin tani ça do ashtu me atë të përmbarimit. Se la drita, la ujë. La të tëra

Qytetarja – Mos ka lidhje Juli (inspektor te IKMT), me këtë që e mori? Që janë Gjirokastritë

Arieli – Juli më duket se është vlonjat  fare. Juli bëri ç’bëri, sa lekë mori, iku. Ka shkuar në Durrës, ka bërë një hotel atje 9 kate dhe nuk trazohet fare. Ja ta them unë kush është Juli. Mori lekë dhe nga mua, nga ju po e po.

Qytetarja – Po mirë Juli e çoi shteti për të marrë 1 rrogë për të mbajtur fëmijët dhe ai ropi dynjanë?

Arieli – E çoi shteti që të merrte lekë që të hanë dhe ata. Lekët, shkurt muhabeti. E niste ajo apostafat, do vesh do bësh kështu. Po do mos jep lekë, po…

Qytetarja – Po nuk është gjynah këta njerëz.

Arieli – Ee unë dhashë për vete te shtëpia ime, kur shtova dy kate. Më erdhi atje. Ti më thua. Pse se di unë? Unë jam atje, nuk është jeta kaq e drejtë. Nuk është Shqipëria kaq e drejtë. Po të ishte kaq e drejtë, do të kishim ecur të tërë . S’do kishim halle. Ai e di shumë mirë, Juli ka shkuar ka marrë lekë. Të tëra.

Qytetari – Nga 7 milionë, nga 8 milionë.

Arieli – Po edhe nga 15 milionë, u ka marrë të tërëve. Pse ti mendon . Unë e di që puna juaj, aq lekë nxirrni. Unë jam kameleon.

Qytetarja – Shiko unë bleva shezllon, bëra të gjitha ato, dhe I punonte Q… për 5 mijë euro.

Arieli – E di shumë mirë, sa mundësi kam pasur unë që edhe unë të marr plazh atje. Pse skam vajtur ta marr? Ja nga këto, e shikoj sa vuani dhe s’dua të futem fare në këto ujëra.

Qytetarja – Si të quajnë?

Arieli – Ariel.

Qytetarja –  Po më tutje s’ka, pse vijnë te mua?

Arieli – Unë atë po të them, unë jam ai që merrem me këto punë. Unë pse se marr plazhin, 100 mijë euro. Pse të rri të pres në duart e Julërave, vjen këtu dhe…

Qytetarja –  Unë u shkatërrova u futa në borxhe nuk mbaroj dot këtë shtëpinë time për atë pazh. Dhe tani vjen tjetri o paguaj, o ik… kështu kishte thënë atëherë. Ky ishte atje dhe më thotë më kërkojnë 7 mijë e 500 euro o bëhet shesh.

Arieli – Unë e di, unë e di. Po të kishe dhënë ndonjë 10-çe do ta kishe shpëtuar objektin. Unë e di si janë ata të terë, unë e di edhe ata që erdhën dhe i prishën. Pse i shpëtuan ata të turizmi tutje që kanë bërë tani. Po kam qenë unë në tavolinë, në muhabet ku u bënë u dhanë lekë dhe nuk ua prishën.

Qytetarja – Po neve ishim shembulli, erdhën të parët dhe nuk bëhej llaf. Se kishim bërë krim.

Arieli – Bëhej, bëhej. U bë zhurmë 10 ditë para që do vinin ata. Doli në media.

Qytetarja –  Nuk e dinim që do prishej objekti.

Qytetari – Unë s’e dija, se më thoshin s’je me vijë të kuqe

Qytetarja –  Dhe s’ishim me pikë të kuqe.

Qytetari – Ishte Julin ë krah.

Arieli – Ai vajti dhe dha lekë.

Qytetari – Po, ishte Rrapushi

Arieli – Ore Juli, Rrapushi vajtën dhanë lekë, unë e di si muhabet. Po të kishe vajtur të kishe dhënë lekë do kishe shpëtuar edhe ti. Ja bashkë kemi 10 – 15 ditë që bëjmë muhabet dhe hiç. Duhet të hidhesh o vëlla. Lëre, po s’ke fuqi, lërë.

Qytetarja –  Po si ta lë unë ta marr një tjetër.

Arieli – S’e vrasin shumë mendjen këta, s’e vrasin shumë mendjen.

Qytetari – Ja të shohim si do ece sot, me karta a me

Qytetarja –  Preken të tërë me karta, se neve kemi 10 milionëshin

Arieli – Unë ju thashë..

Qytetarja –  Shiko, ne nesër duam që të mbarohet puna, të shikosh.

Arieli – Nuk mbarohet puna për 1 ditë. Unë do iki në Tiranë ju thashë. Unë do marr pakon, do vete në Tiranë do flas me njerëzit. Dhe do mbaj për 1 javë, 7 ditë do merrem me këtë punë dhe po ju qita hall, po s’ju qita hall do sjell lekët. Troç muhabeti, unë as shtoj ndonjë gjë. Po jeni dakord hajde ta bëjmë, po s’jeni dakord.

Qytetarja –  Dakord.

Arieli – Nga mua s’keni asnjë pengesë.

Qytetarja –  Po nëse është zgjidhje…

Arieli – Po nuk ke ça bën, nuk ke ça bën.

Qytetarja –  Dakord, vazhdo.

Arieli – Biles jemi shumë vonë, unë ja kam thënë këtij jemi shumë vonë se janë bërë, I kanë mbyllur muhabetet.

Arieli – Ti ma heq trurin, ti si ke kuptuar fuqitë e mia. Ti parvjet nuk ishe brenda me S… dhe të nxorëm për 2 orë. Unë Denisin e kam shok klase. Ne jemi 4 veta, Denisi thotë ok unë dal jashtë loje. Ok jepu këtyre dhe mbarojmë.

Qytetari – Unë I thashë sa doni?

Arieli – Duan njeriun e duhur edhe ata. Ore shiko se ne jemi familje, jemi tanët. Erdha unë këtu bëra 5 muhabete. Ku e di unë që s’më inçizove ti?!

Qytetari – Po jo o.

Arieli – Denisi e mendon atë. Po s’të vjen njeri kështu ore të bën muhabet hapur. Pse vërtetë mendon ti që të vjen njeri të flasë…

Qytetari – PO në qoftë se bën unë i jap…

Arieli – Po shiko …

Qytetarja –  Po nëse të flasim në telefon, ti nisin apo jo.

Arieli – Nuk flasin dot në telefon ata. Edhe kaq sa folëm, se na përgjohen telefonat. Unë shkoj I takoj nga afër, si marr dot në telefon. E dinë mirë ata, se ata janë Bajlozë, ndajnë Shqipërinë që nga Shkodra dhe krejt plazhet. Sa plazhe janë, ke krejt plazhet. Ke plazhe në Spille që vetëm taksa e Bashkisë është 100 milionë lekë. Imagjino sa u shkon kafja atyre me valixhe.

Qytetarja –  Po ne nuk nxjerrim dot, të kisha të nxirrja 2 mijë, a 3 mijë . Ça tan marrësh tani neve.

Arieli – Po si tua nxjerr unë ti marr në telefon ata tani unë. Po ik mos më merr në telefon fare thotë ai.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel