Edhe dita e dytë e vitit akademik ka vijuar me bojkotin e pedagogëve të Universiteteve të Tiranës.

Një pjesë e auditoreve kanë qenë të boshatisura, ndërsa në të tjera ka pasur studente në pritje.

 “Nuk kemi bërë mësim, nuk e dimë gjë se çfarë do bëhet”, thanë disa prej studentëve.

Të vetëdijshëm se bojkoti i pedagogëve ndikon drejtpërdrejt tek ta dhe në rrjedhën e zhvillimit të orëve mësimore, studentët duket se janë në mbështetje të kërkesave të pedagogëve.

 “Nuk bëmë mësim sot, na ndikon, por i mbështesim”, thanë të tjerë studentë.

Pedagogët e Universitetit Politeknik dhe të Universitetit të Arteve prej orës 10  u mblodhën  së bashku, ndërsa pjesa tjetër kanë protestuar në oborret e fakulteteve përkatëse. Përqindja më e lartë e bojkotit ka qenë nga pedagogët e Universitetit Politeknik si dhe nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Sindikata e pedagogëve është e vendosur për të vijuar me bojkotin deri në plotësimin e kërkesave ndaj dhe nesër prej orës 10:00 ata do të mblidhen sërish, duke lënë auditoret të boshatisura.

 “I bëjmë thirrje ndërgjegjes së kryeministrit dhe të gjithë këshillit të ministrave, ministres së arsimit dhe të gjithë aktorëve të tjerë që mund të kontribuojnë për universitetet publike, që ta kthejnë kokën nga universiteti dhe ta financojnë universitetin në mënyrë që të kemi mundësi ballafaqohemi qoftë me universitetet rajonale, qoftë dhe europiane apo botërore”, tha Sander Kovaçi, kryetar i SPUSH.

Sa u përket orëve mësimore që po humbasin studentët, pedagogët janë shprehur se do të bëhet zëvendësimi i tyre me orë shtesë dhe gjatë fundjavës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA