Protestat që kanë shpërthyer nuk po fashiten në Iran, e kanë kthyer më fort këto kohë vëmendjen e botes drejt republikës islamike.
Trazirat popullore u nxitën nga vdekja e 22 vjecares Mahsa Amin, e cila vdiq në duart e policisë së moralit vetëm sepse nuk e mbante sic duhet sipas tyre, shaminë e kokës. Së fundi, një video, në të cilën dyshohet se forcat e sigurisë në Iran sulmojnë seksualisht një protestuese – gjatë perpjekjeve për arrestimin e saj – ka provokuar zemërim në rrjetet sociale.
Në këto platforma është bërë thirrje për “drejtësi” dhe dorëheqje të shefit policor. Madje edhe disa persona pro-qeverisë e kanë dënuar këtë akt. Në video shihen zyrtarë policorë duke e rrethuar gruan në një rrugë kryesore; njëri prej tyre e kap nga qafa dhe e con tek policët tjerë.
Teksa gruaja, e cila nuk e ka kokën të mbuluar, shtyhet në drejtim të një biçiklete, një zyrtar i afrohet dhe i vendos dorën në fundshpinë.Ajo më pas shtrihet në tokë dhe më shumë zyrtarë policorë i afrohen.
Së fundi, në rrjetet sociale është shfaqur sakaq dhe një tjetër video, këtë radhë e një iranianeje që sulmohet nga dy burra sepse po ecte në rrugë pa hixhab. Njëri prej tyre ka tentuar ta godasë me shkelma, ndërsa i dyti është afruar dhe ka filluar ta qëllojë me shuplakë. Por kjo nuk përfundoi siç prisnin sulmuesit, sepse gruaja u mbrojt me guxim dhe i goditi derisa klientët e një lokali aty pranë u ngritën t`i vinin në ndihmë.
Dhjetëra video të protestave janë bërë virale, si brenda, ashtu edhe jashtë Iranit. Grupet për të drejta të njeriut thonë se mbi se 150 persona janë vrarë që prej shpërthimit të protestave në 17 shtator anekënd republikës Islamike.
Top Channel