Vrasja e Martin Çeços në Kolanec të Maliqit, në 18 qershor të këtij viti, është arrestuar edhe vajza e cila dyshohet se kishte lidhje me të.
Bëhet fjalë për Martina Pajollarin, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Martinit. Policia ka arritur të sigurojë provat e mjaftueshme që vërtetojnë se kjo shtetase ka bashkëpunuar me 3 autorët e arrestuar më herët, Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj që vuajnë dënimin në burgun e Drenovës.
Martina Pajollari dyshohet se ka qenë vajza e lidhur me viktimën por edhe në një lidhje të dyfishtë me Valter Mollajn, i cili është autori i vrasjes.
Tre autorët në bashkëpunim me njëri tjetrin e kanë dhunuar e më pas hedhur trupin e pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq, trup i cili u gjet nga banorët e zonës disa ditë pasi familja e viktimës e denoncoi të humbur.
Si ndodhi vrasja?
Një histori dashurie, megjithëse e mbyllur mes një 18-vjeçareje dhe 26 vjeçarit u bë shkak për vrasjen e këtij të fundit. 26-vjeçari, Martin Çeço nga fshati Kolanec i Maliqit u denoncua më 12 qershor i zhdukur nga ana e babait të tij. Pas njoftimit Policia e Korçës kreu kontrolle në terren dhe trupi i pajetë i të riut u gjet më 16 qershor në rezervuarin e fshatit.
Ngjarja ishte inskenuar si vetëvrasje, pasi buzë rezervuarit ishin lënë sendet personale të të riut. Por nga këqyrja e trupit të pajetë u vërejtën mavijosje në pjesën e qafës çka shtoi dyshimet e policisë. Hetimet nxorën në dritë një krim pasioni ku ishin përfshirë 3 persona të identifikuar si Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj.
Hetimet zbuluan se pak kohë më parë 18 vjeçarja e cila banon në një fshat të Voskopojës kishte nisur një marrëdhënie intime me 38 vjeçarin nga një fshat i Pogradecit, Bleti Angjo. Kur ky i fundit kishte mësuar se nuk ishte i pari për vajzën, pasi ajo më herët kishte qenë e lidhur me Martin Çeçon, kjo ngjalli xhelozi që më pas prodhoi vrasjen.
38 vjeçari i dënuar më parë për vjedhje së bashku me dy miqtë e tij Valter dhe Edlir Mollaj shkuan në Maliq dhe takuan 26 vjeçarin, më pas me një litar e kanë mbytur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuar.
“Vijon operacioni policor i koduar “Marjani”. Shkon në 4 numri i të ndaluarve në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 16.06.2022, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç. Vihet në pranga 18-vjeçarja, e dyshuar si e implikuar në vrasjen e 26-vjeçarit.
Specialistët e Seksionit për hetimin e krimeve ndaj personit, pasurisë, të miturve dhe dhunës në familjes, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 16.06.2022, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç., 26 vjeç, banues në këtë fshat, bënë ndalimin e shtetases M. P., 18 vjeçe, banuese në fshatin Marjan, Korçë.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës Parë Korçë me vendimin e datës 14.10.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si e implikuar në ngjarjen e lartpërmendur, për të cilën strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, kanë ndaluar më parë shtetasit B. A; V. M. dhe E. M. Vijon puna për dokumentimim me prova ligjore të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Top Channel