Ky sezon ka qenë i mbarë për prodhimet bujqësore, kushtet e favorshme klimaterike garantuan cilësinë dhe sasinë e duhur për fermerët dhe konsumatorët.

Por kjo cilësi bujkut shqiptar I kushtoi shumë, rritja e çmimit të plehrave kimike, plasmasit të serave dhe shtrenjtimi I naftës nxori në treg fruta dhe perime të kushtueshme.

Për këtë arsye shumë prej këtyre prodhimeve bujqësore nuk u ekspozuan kurrë në tezgat e marketeve, pasi ato u mbushen me perimet e importit që kushton më lirë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, në janar-qershor 2022 u importuan rreth 27 mijë tonë zarzavate, nga rreth 19 mijë tonë vitin e kaluar në të periudhe, ose rreth 8 mijë tonë më shumë.

Tani në të gjithë tregjet e pakicës, në kulmin e prodhimeve vendase gjen domate të paketuara nga Greqia e Italia.

“Ne jemi në këtë situate për shkak se produktet bujqësore të vendit janë më një çmim të lartë. Prodhimi  vendas është i varur nga lënda e parë që importohet dhe dimë që tashmë lënda e parë në bujqësi është rritur, përballë kësaj fermerët detyrohen të rrisin edhe ata çmimet për te fituar sado pak. Rritja e çmimeve të prodhimeve bujqësore i ka bërë këto më të shtrenjta se sa prodhimet e vendit të importuara”, tha ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Edhe pse bujqësia siguron rreth 20% e prodhimit të brendshëm bruto, ky sektor merr shumë pak nga torta e buxhetit të qeverisë shqiptare.

Pavarësisht kësaj fermeri në Shqipëri nuk merr të njëjtën vëmendje si fermeri në vendet e rajonit apo BE. Rritja e kostove të prodhimit të bujqësi dhe mungesa e subvencioneve, frutat dhe perimet e fermerit shqiptar si destinacion nuk kanë tregun, por kanalin.

 “1/5 e PPB vjen nga bujqësia, ndërkohë që 37% ose një në tre persona është i punësuar në bujqësi. Pra bujqësia ka një peshë shumë të lartë ndërkohë që mesatarja në BE për bujqësinë zë vetëm 2.2%. Nisur nga kjo çfarë ndodh nga një anë në i japim një peshë shumë të rëndësishme bujqësisë dhe nga ana tjetër ne importojmë bar nga Kosova.  Shteti në varësi për të kontrolluar prodhimi merr nën sërë politikash që e ndihmon fermerin duke i dhënë para në formë direkte apo indirekte me qëllimin që prodhimi në treg të dalë i kontrolluar“, tha eksperti i ekonomisë, Klodian Muça.

Këtë vit ishin bujqit që u ankuan për mungesën e tregut të domates, shalqirit, rrushit dhe qershisë. Duket se për çdo sezon bujqësor sezon ka nga një produkt që nuk shitet.

Top Channel