Ndonëse mbështetja për të kishte pësuar rënie vitet e fundit, partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po përpiqet të fitojë pikë nga kriza ekonomike, dhe sondazhet dëshmojnë qartë se strategjia e saj po funksionon.

Që nga 2015-ta, kur e djathta përdori frikën nga fluksi i refugjatëve për të nxitur protestat, sidomos në pjesën lindore të vendit për të rritur ndjeshëm suksesin e saj, AfD-ja nuk kishte mundur ta gjente temën e duhur që do t’u interesonte shumë votuesve.

Edhe pse doli doli në rrugë të protestonte kundër kufizimeve për shkak të COVID-19, nuk arriti të ndalte rënien e mbështetjes, sidomos në pjesën perëndimore të vendit. Forca politike u krijua në vitin 2013 si një parti skeptike ndaj Europës, dhe ende pozicioni i saj është se Gjermania duhet të largohet nga BE, edhe nëse parti të tjera nacionaliste, si demokratët e Suedisë dhe Vëllezërit e Italisë, nuk kanë më qëndrime të tilla.

“Tani, ata janë përqendruar tek sanksionet e qeverisë kundër Rusisë,” i tha Deutsche Welles, Wolfgang Schroeder, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kaselit. “Ata po thonë se ligjvënës të korruptuar janë duke injoruar nevojat e njerëzve.

Ata po argumentojnë duke thënë,se viktimat e kësaj politike sanksionesh nuk janë elitat e Moskës, por janë gjermanët.” Mesazhi që AfD është duke u përpjekur t’i dërgojë koalicionit qeveritar të përbërë nga Socialdemokratët (SPD) e qendrës së majtë, Partia e Gjelbër dhe Liberal Demokratët (FDP), është i qartë:

“Ju nuk jeni ngarkuar të merreni me Rusinë, ju jeni ngarkuar të merreni me këtë vend.”

Në fakt, një nga bashkëkryetarët e AfD Tino Chrupalla ka akuzuar vazhdimisht qeverinë e kancelarit Olaf Scholz se është duke bërë “luftë ekonomike” kundër gjermanëve sepse inflacioni është rritur mbi 8%. Sanksionet “nuk janë në interes të Gjermanisë,” thotë me këmbëngulje Chrupalla, duke parashikuar që “gjatë vjeshtës, mbështetja për politikat e qeverisë do vazhdojë të bjerë.

Sipas shifrave të publikuara nga INSA, që merret me studimin e opinionit publik, mbështetja kombëtare për partinë e Scholzit ka rënë nga 25.7% që ishte vitin e kaluar kur u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, në 18%, partia FDP është reduktuar tek 7% e po ashtu edhe Partia e Gjelbër është duke përjetuar reagim të ashpër për shkak të planeve që kanë lidhur me gjendjen e vështirë nga mungesa e gazit.

 

Top Channel