Policia spanjolle, sipas të dhënave të saj, ka shkatërruar një rrjet trafikantësh shqiptarë, që kalonin migrantë ilegalisht në kushte të rrezikshme për në Britaninë e Madhe.
Gjatë aksionit të përbashkët të Gardës Civile (Guardia Civil) spanjollë dhe Agjencisë Kombëtare britanike të Krimit (NCA) janë arrestuar shtatë të dyshuar të „një organizate të rëndësishme kriminale”, vuri në dukje policia spanjolle të shtunën (09.10)
Rrjeti ka transportuar migrantë shqiptarë, ndër ta edhe fëmijë, duke i hipur ata si pasagjerë të paidentifikuar në bordet e trageteve dhe anijeve tregtare me destinacion Britaninë e Madhe. Shumica e të arrestuarve, ndër ta edhe dy të pandehurit si drejtues të bandës, sipas të dhënave, janë shtetas shqiptarë. Drejtuesit e bandës u arrestuan të hënën (03.10) në aeroportin e Madridid, kur donin të hipnin në avion për të fluturuar drejt Shqipërisë.
“Trafikantët e qenieve njerëzore venë në rrezik jetën e njeriut, ndaj shkatërrimi i këtyre rrjeteve kriminale si ky ka prioritet”, deklaroi drejtuesi rajonal i NCA, Steve Reynolds.
Ky rrjet trafikantësh mendohet se ka qenë aktiv që nga viti 2014 dhe „rekrutonte” migrantë nga Shqipëria ose nga strehimoret e refugjatëve në veri të Spanjës. Për çdo shqiptar që transportonin ata kërkonin 15.000 euro.
“Metodat, se si i fshihnin ata njerëzit në borde, përbëjnë rrezik për jetën dhe pacënueshmërinë fizike të migrantëve, ndër të cilët kanë qenë edhe minorenë”, deklaroi policia.
Se sa migrantë ka trafikuar kjo bandë për në Britaninë e Madhe. Është e paqartë. Deri tani janë identifikuar 50 syresh. Policia sekuestroi gjatë aksionit telefona, kompjutera, karta bankare, shuma parashë si dhe karta identifikimi dhe pasaporta./DW
Top Channel