Fermerët si Hekuran Hidri, janë gjithnjë në kërkim të tregut. Një dekadë më parë në Rrasë të Bleshit, tokat e tij i mbolli me duhan, por kjo bimë në atë kohë nuk i solli të ardhura.

Për të mbijetuar Hekurani provoi edhe kultivimin e perimeve në sera, por edhe kësaj here tregu u tregu i padrejtë më të.

“Po domate tranguj, spec. Vitet e fundit që pata sera e çoja mallin ne Fush-Krujë, nuk kishim shumë leverdi për shkak të çmimit të ulët, 150 lekë. Ky çmim nuk ia vlente prandaj u tërhoqëm”, tha fermeri Hekuran Hidri.

Pas dështimit me serën e perimeve, Hekurani vendosi të zhduke serat për të mbjellë duhan, një bimë që kërkon 9 muaj. Por ndryshe nga domatet që kalbeshin në serë, për duhanin ai ka arritur të sigurojë tregon, edhe pse jo më çmimin që fermeri do.

“Tani ka tre vjet që ka hyrë kjo firma dhe mbollëm duhan. Një kile duhan po e shesim më shumë se 4000 mijë lekë për kile. Nuk është ndonjë çmim i mirë pasi do shumë punë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë”, u shpreh Hidri.

Me një sipërfaqe toke prej 4 dynym me duhan Hekurani arrin të nxjerrë 13 kuintal duhan, që i siguron afërsisht 4 mln lekë të vjetra në vit. Por kjo shumë parash nuk i mjaftonte familjes së madhe të 54-vjeçarit, vështirësia ekonomike atij i largoi fëmijët.

“Fëmijë kam treg një djalë dhe dy vajza, por kanë ikur jashtë. I pata punësuar tek sera, panë që nuk ishte gjë morën rrugët. Djali ka shkuar në Greqi dhe punon në ndërtim ose bujqësi mbledh ullinj dhe paguhet 40-50 euro. Kur këtu nuk të bie më tepër se 15 mijë lekë dita nëse punon nga mëngjesi në darkë”, tha fermeri.

Që fëmijët e tij të kthehen në vendlindje, dhe fëmijët e të tjerëve të mos i braktisin tokat, ka vetëm një zgjidhje, fermeri duhet të mbështet nga ministria e bujqësisë.

“Ia vlen po të ndihmojë shteti. Kur kap pas duhan në fillim shteti na jepte 20% e TVSH më pas e bëri 5%, ndërsa tani nuk marrim asgjë. Kurse greku na sjell fijën, farën dhe ambalazhin”, u shpreh Hidri.

Për të përballuar jetesën, Hekurani pasi përfundon vjeljen e duhani, shkon në Greqi për të punuar në bujqësi.

“Do mbaroj duhanin ta bëj gati për ta shitur, më pas do të mbledh ulliri dhe më pas do të shkoj në Greqi të punoj atje në bujqësi tre muaj që të shtyj vitin”, deklaroi Hekuran Hidri, fermer.

Hekurani thotë se edhe ai si i djali i tij do të largohej përgjithnjë nga Shqipëria nëse mbi supe nuk do t’i rëndonin 54 vite.

Top Channel