Kriza e çmimeve po i bën qytetarët dhe bizneset gjithnjë e më pesimistë duke ulur besimin në ekonomi.

Sipas vrojtimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi rënie me 1.9 pikë, niveli më i ulët i regjistruar përgjatë vitit 2022. Kjo është ndikuar si nga përkeqësimi i besimit të konsumatorëve por edhe rënies në sektorë si ndërtimi dhe shërbimet.

Sa i përket ndërtimit, rënia e besimit te bizneset që operojnë në këtë sektor është shkaktuar nga vlerësimi pesimist i tyre për aktivitetin ndërtues, ndërsa janë ulur edhe parashikimet për punësim dhe pritshmëritë për çmimet që do të vendosin në të ardhmen.

Shtrenjtimi i çmimeve dukshëm ka prekur edhe shërbimet, pasi kjo ka ndikuar edhe në vlerësimet për ecurinë aktuale të bizneseve si dhe për kërkesën në këtë sektor.

Ndërkohë, besimi konsumator u përkeqësua muajin e kaluar me 3.1 pikë përqindje ndikuar së tepërmi nga situata e përgjithshme ekonomike.

Kjo i ka bërë qytetarët më të stepur dhe më pesimistë si për blerjet aktuale ashtu edhe për ato të planifikuara në të ardhmen kryesisht për blerje të mëdha si ajo e një banese apo makine si pasojë e pasigurive të larta që po shkakton rritja e çmimeve.

Ndërkohë, më optimiste duket situate për bizneset e sektorëve si tregtia apo industria që kanë parë rritje të lehtë të treguesit të besimit në ekonomi në shtator, nxitur si nga përmirësimi i kërkesës, ashtu edhe nga vlerësimet pozitive për rritje çmimesh në të ardhmen.

Top Channel