13 persona, mes tyre një zyrtar policie u arrestuan një ditë më parë në Kosovë, nën akuzat për veprat penale fajde, organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Një hetim disa javor çoi në bastisjen e 19 lokacioneve nën pretendimin se të dyshuarit ishin marrë me veprat penale “fajde”, “detyrim” dhe “organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Policia ka publikuar fotot e materialeve të sekuestruara në operacionin policor “Toto”, ku duken disa lloje armësh zjarri, makina dhe para në euro.
Sipas njoftimit në Prokurorisë Themelore të Prizrenit janë sekuestruar mbi 55 mijë euro, 1,700 franga zvicerane, 50 mijë lek, qindra dollar e dinar serb. Ndërkohë që nga të njëjtët të dyshuar si prova materiale hetuesia sekuestroi edhe gjashtë vetura, dy armë, municion, pajisje kompjuterike dhe 360 pako me cigare pa banderolë.
Nga Prokuroria e Prizrenit bëjnë me dije se të dyshuarit janë në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që shtojnë se brenda afateve ligjore do të bëjnë kërkesë pranë gjykatës për të caktuar masën e sigurisë për 13 të arrestuarit.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor për aksionin, duke shtuar se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit do të vazhdojë.
Top Channel