Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, ka zhvilluar një takim trilateral me presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron dhe Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për angazhimin e tyre për liberalizim të vizave për Kosovën, duke përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Francën dhe Gjermaninë, si aleatë të fuqishëm të Kosovës në kontinentin evropian.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri për të garantuar paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon.

Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive në këtë proces dhe ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për përpjekjen e tyre për ta intensifikuar procesin e dialogut. Kosova është e interesuar në përmbylljen e dialogut sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë, ruajtjen e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës.

Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani potencoi nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve tanë si dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, ndaj ka kërkuar që mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euroatlantike të vazhdojë.

Në takimin e parë të Komunitet Politik Evropian, i cili është mbajtur në Pragë, morën pjesë krerët e shteteve nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe 17 vendet evropiane./KosovaPress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA