Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Lilana Shubariq, njoftoi të mërkurën se ka nisur procedurën për anulimin e vendimit për shkëmbimin e një prone të paluajtshme komunale me një biznesmen privat.

Ky vendim u miratua më 28 shtator në një seancë të Kuvendit Komunal të Graçanicës.

“Në bazë të kompetencave që dalin nga Statuti i Komunës së Graçanicës dhe me kërkesë të më shumë se 1/3 së këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Graçanicës, anulimi i këtij vendimi do të dalë në rend të ditës në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal”, tha Shubariq përmes një deklarate për media.

Një ditë më herët, REL raportoi për protesta dhe një peticion qytetarësh kundër këtij vendimi, në bazë të të cilit Komuna e Graçanicës, e banuar me shumicë serbe, do të shkëmbente pronë me një biznesmen.

Biznesmeni kosovar, Rexhë Shoshi, do t’i ofronte Komunës së Graçanicës një rrugë në pronësi të tij, në 18 ari tokë.

Në këmbim, Shoshi do të fitonte nga komuna një copë toke prej 17 hektarësh, pranë Liqenit të Badovcit.

Ligji i Kosovës e lejon këtë lloj shkëmbimi, por nuk është bërë e qartë se përse toka që do të merrej nga Shoshi, ka rëndësi “strategjike” për publikun, ashtu siç është pretenduar.

REL i është drejtuar Komunës së Graçanicës më 4 tetor me kërkesën për të shpjeguar se përse prona e Shoshit ka rëndësi të tillë, por nuk ka marrë përgjigje.

Rreth vendimit për shkëmbimin e këtyre pronave i pari ka raportuar ish-kryetari i Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviq, duke e cilësuar atë si “tradhti” ndaj qytetarëve të Graçanicës.

“Sapo janë dhuruar 17 hektarë tokë komunale për 18 ari. Kjo është tradhti ndaj popullatës sonë që jeton këtu”, tha ai.

Pas njoftimit të Shubariqit të mërkurën, Stojanoviq reagoi përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar si “fitore” anulimin e paralajmëruar të vendimit.

Shubariq tha se vendimi i 28 shtatorit ka qenë i justifikueshëm dhe se ka pasur arsye të vlefshme për miratimin e tij.

Megjithatë, “ne nuk duam të bëjmë asnjë lëvizje që do t’u jepte hapësirë politikanëve të zbehur dhe të konsumuar, që të abuzojnë dhe të përpiqen t’i manipulojnë njerëzit tanë në Graçanicë, për hir të interesave të tyre politike”, tha Shubariq, duke mos sqaruar se për kë e ka fjalën.

Ajo shtoi se Graçanica “ka nevojë për unitet për t’i kaluar të gjitha sfidat”.

Kjo komunë nga viti 2013 udhëhiqet nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA