Drejtori i CIA-s: Putini, i rrezikshëm nëse mbërthehet në qoshe!

04/10/2022 20:53

Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës po e kremton 75 vjetorin e krijimit të saj me njërin sy nga lufta në Ukrainë, dhe lëvizjet e presidentit rus, Vladimir Putin.

Drejtori i CIA-s, William Burns rrëfeu në një intervistë për CBS Neës se nëse Putini ndien që po mbërthehet me shpatulla pas muri, mund të bëhet shumë i rrezikshëm e të marrë vendime të pamenduara. “Ai duhet të jetë i shqetësuar vërtet, jo vetëm për atë që po ndodh në fushën e betejës në Ukrainë, po edhe për ato që po ndodhin brenda të Rusisë, si dhe në nivel ndërkombëtar”, rrëfeu  Burns për gazetaren e “CBS Evening News”, Norah O’Donnell.

William Burns: Putini i mbërthyer në një qoshe – mund të jetë mjaft i rrezikshëm dhe i pamatur. I pamë supozinet e gabuara që bëri përpara luftës. E unë mendoj se ai po e bazon edhe tani qasjen e tij në supozime po aq të gabuara, kur mendon se mund të bëjë të fortin me ukrainasit, Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin.

Burns tregoi ndërkohë se edhe miqësia e Putinit me presidentin kinez, Xi Jingping ka disa kufij, ndryshe nga sa mund të mendonte shefi i Kremlinit. Kreu i CIA-s pohoi se Kina ka qenë disi e heshtur në përkrahjen e saj për Moskën pas nisjes së konfliktit, duke vënë në dukje se ajo nuk ka ofruar llojin e mbështetjes ushtarake që presidenti rus, me shumë gjasë, shpresonte.

Pavarësisht kësaj, paralajmëroi Burns, Putini mbetet “kokëfortë në sigurinë e gjykimit të tij”. Ndërsa i pyetur se me çfarë vëmendjeje po e ndjek Kina luftën në Ukrainë, zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane tha se beson që Xi po e sheh “si një skifter” arë çfarë po ndodh në Ukrainë, dhe se është kthjelluar deri diku nga performanca e dobët e ushtrisë ruse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA