Porosia për vrasjen e “Rrumit të Shijakut”, përfundoi e parealizuar, me 15 të arrestuar nga operacioni “Porositësi” i realizuar nga Policia e Durrësit.
Siç duket në videon e mësipërme policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sërë mjetesh luftarake si: 1 kallashnikov, municion luftarak, 4 kilogramë eksploziv, fitil zjarrpërcjellës, detonator elektrik për shpërthime në distancë, 4 automjete, nga të cilat 2 blinduara, 2 motoçikleta, lëndë narkotike kokainë, 17 aparate celulare, 3050 euro, 2 armë gjahu shotgan, 1 thikë, sprajt neutralizues, 4 pistoleta sportive dhe 1 palë targa.
Shtetasit Gentian Beqiraj dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit.
Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.
Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.
Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.
Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.
Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.
Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.
Personat e tjerë të lartpërmendur, aktualisht të arrestuar, janë të përfshirë në aktivitetin kriminali të dy vëllezërve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 1 kallashnikov, municion luftarak, 4 kilogramë eksploziv, fitil zjarrpërcjellës, detonator elektrik për shpërthime në distancë, 4 automjete, nga të cilat 2 blinduara, 2 motoçikleta, lëndë narkotike kokainë, 17 aparate celulare, 3050 euro, 2 armë gjahu shotgan, 1 thikë, sprajt neutralizues, 4 pistoleta sportive dhe 1 palë targa.
Si ndodhi ngjarja në autostradën Tiranë-Durrës?
Indrit Beqiraj teksa lëvizte më një motomjet tip “Piaggio” së bashku me të vëllanë Gentian Beqirajn më 2, tetor është përplasur me një makinë në të cilën ndodheshin dy persona. Pas aksidentit Beqiraj dhe dy personat e tjerë janë konfliktuar deri në përdorimin e dhunës fizike, ku më pas Beqiraj është marrë me dhunë në mjet e pas disa metrash është lënë i lirë. Menjëherë pas ngjarjes, Beqiraj ka raportuar situatën në polici.
Kush është “Rrumi i Shijakut”?
Pëllumb Muharremi i njohur edhe me emrin tjetër Aleksandër Laho njihet si “Rrumi i Shijakut” është një emër i njohur për policinë. Ai dyshohet se ndodhej në makinë me prokurorin Arjan Ndoja ditën që iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës në nëntor të 2019-ës. Ajo që ngjalli dyshime, është fakti se si një person me precedentë penalë, i lakuar gjerësisht për përplasje për çështje pronësie, ishte mik i një prokurori dhe për më tepër udhëtonte në një makinë me të. Në shtator të vitit 2016 ai u shpall në kërkim nga policia për rrahjen e biznesmenit libanez Faadi Mitri në sy të gruas dhe vajzës së tij.
Top Channel