Qeveria nuk ka ende gati një draft final për amnistinë fiskale, një nga nismat më të debatuara, për të cilën faktori ndërkombëtar nuk ka dhënë ende “Ok” për zbatimin e saj.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Financave Delina Ibrahimaj sipas të cilës po punohet për aktet nënligjore që shoqërojnë draftin, megjithatë nuk dha një afat se kur nisma mund të marrë fuqi ligjore.
“Se kur do finalizohet drafti, unë nuk e kam ende një përgjigje. Jemi duke hartuar aktet nënligjore që bashkëshoqërojnë ligjin se si do zbatohet ai. Është një punë në proces që s’ka ende një datë dhe nuk mund të them nëse do nisë apo jo zbatimin në vitin e ardhshëm”- tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj mohoi kategorikisht që përmes amnistisë të kalojnë para apo pasuri të jashtëligjshme, përfshirë edhe ndërtimet pa leje.
“Ligji shqiptar vepron në Shqipëri dhe ky ligj do aplikohet për të gjithë qytetarët shqiptarë. A do të legalizojë burime apo ka lidhje me konfiskimet që po kryhen tani. Nuk mund të ketë legalizimi të një ndërtimi të paligjshëm. Amnistia ka filluar shumë kohë më parë”- shtoi ajo.
Pavarësisht se qeveria solli një draft të ri për amnistinë, ai u prit me shqetësim nga Komisioni Europian, një ndër të vetmit organizma ndërkombëtar që ka dhënë opinionin e tij për nismën, duke argumentuar se krijon shteg për pastrimin e parave.
Top Channel