Ukraina kërkon anëtarësim të përshpejtuar në NATO, nëntë shtete evropiane shprehin mbështetjen e tyre

02/10/2022 20:30

Nëntë shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë ofruar mbështetjen e tyre që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s, dhe i kanë bërë thirrje Aleancës që t’i ofrojë më shumë armë Kievit, në mënyrë që të mbrohet nga forcat pushtuese ruse.

Deklarata u nënshkrua nga liderët e Republikës Çeke, Estonisë, Lituanisë, Letonisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, raporton Radio Evropa e Lirë

Deklarata e përbashkët e këtyre nëntë shteteve vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi më 30 shtator se Ukraina ka dorëzuar kërkesën për aplikim për anëtarësim në NATO përmes procedurës së përshpejtuar.

Kjo kërkesë e Ukrainës u bë në ditën e njëjtë që presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se Rusia ka aneksuar katër rajone ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

“Ne përsërisim mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne nuk njohim dhe nuk do të njohim kurrë përpjekjet ruse për të aneksuar territor ukrainas”, u tha në deklaratën e nëntë liderëve të shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Deklarata e Putinit se Rusia ka aneksuar rajonet e Donjeskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhjas, u pa si përshkallëzim i madh nga ana e Kremlinit.

I pyetur për kërkesën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, tha për një televizion amerikan se “çdo vendim për anëtarësim duhet të merret me konsensus dhe se të 30-të aleatët duhet të pajtohen që të merret një vendim i tillë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA