Autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të saj të ulet. 

Sipas tyre, marrë parasysh që Kosova gjendet në rrjetin e përbashkët energjetik evropian, i cili po vuan nga kriza ekstreme energjetike, si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, situata energjetike në të cilën mund të gjendet vendi gjatë muajve të dimrit, mbetet e paqartë dhe e pasigurt.

Por, disa qytetarë të Prishtinës, ndonëse i vlerësojnë të arsyeshme rekomandimet e autoriteteve të vendit për kursim të energjisë elektrike, thonë se është e vështirë të kursehet, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë të dimrit.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën, si dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës.

Emirieta Zhegrova thotë se gjatë gjithë vitit përpiqet të kursejë energjinë elektrike, duke vënë në funksion pajisjet shtëpiake vetëm kur janë tarifat e lira, gjatë natës. Por, sipas saj, situata pritet të komplikohet gjatë muajve të dimrit dhe kursimi i energjisë mund të jetë i vështirë.

“Tani që afron dimrit, mund të jetë më problematike në qoftë se do të ketë reduktime të energjisë. Ngrohjen e kemi me Termokosin [ngrohtorja e qytetit të Prishtinës]. Por, Termokosi është i lidhur me energji. Do të jetë shumë më problematik kursimi i energjisë në kohë të dimrit”, thotë Zhegrova për Radion Evropa e Lirë.

Pavarësisht thirrjeve, rekomandimeve dhe këshillave të autoriteteve ndaj qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), njoftoi se ditët e fundit kërkesa me energji është rritur për 12 për qind, ndërkaq në kohën e pikut edhe 13 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Top Channel