Në Novobërdë të Kosovës janë gjetur mbetje kockore që dyshohet se i përkasin biznesmenit Bedri Rexhepi, i cili mendohet se u rrëmbye më 8 prill të vitit 2021.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se pas sigurimit të provave shtesë dhe hetimeve kanë dalë në terren për të caktuar lokacionin.

“Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore“, thuhet në njoftimin e hetuesisë.

Bedri Rexhepi mendohet se më 8 prill rreth orës 16:30 ka dalë nga shtëpia e tij në Prishtinë, më pas është takuar me njërin nga autorët e dyshuar, tashmë të arrestuar.

Makina e tij u gjet një ditë më pas nga policia në fshatin Janjevë të Lipjanit. Deri më tani janë arrestuar katër persona, të cilët dyshohet se kanë rrëmbyer Bedri Rexhepin.

Top Channel