Teksa në pjesën tjetër të botës karburantet kanë arritur çmime stratosferike, në Australi po nisin shitjet publike të makinës së parë që funksionon me hidrogjen, karikohet për 5 minuta dhe lëshon nga prapa vetëm ujë.

Vetura Hyundai Nexo mund të përshkojë 800 kilometra me një mbushje të plotë dhe kur lëviz në vend që të ndotë, purifikon ajrin ku kalon.

Kjo është hera e parë që teknologjia e veturave që kanë si ‘karburant’ hidrogjenin bëhet publike teksa modeli me cilindratë të vogël vendos një rekord qëndrueshmërie me vetëm 6,3 kilogramë hidrogjen mbushje, duke pastruar gjatë udhëtimit të saj rreth 400.000 litra ajër, dhe nga tubat e shkarkimit lëshon vetëm ujë.

Kjo makinë nuk prodhon CO2 dhe as emetime të tjera, siç prodhojnë zakonisht motorët me djegie të brendshme që në të njëjtën distancë lëshojnë rreth 126 kg CO2, sipas llogaritjeve.

Motori me hidrogjen hyn kështu në treg duke rivalizuar atë elektrik mes zgjidhjeve për “zhvendosjen e qëndrueshme” që po adoptohen sot në botë.

Tashmë në Australi janë ndërtuar dhe pikat e furnizimit që konsideroheshin si pengesa kryesore e projektit që mund të ndryshojë botën.

Automjeti prodhon energjinë e tij elektrike kur gazi kalon mes një membrane dhe takon me ajrin që merret nga mjedisi i jashtëm.

Mjeti llogaritet të gjenerojnë energji shtesë edhe nga frenimi i makinës, çka depozitohet në një bateri litium-ion.

“Ne nuk po nisim thjesht një makinë,” tha më herët dr. Saehoon Kim, kreu i qendrës së furnizimit të Hyundai duke njoftuar testimet për Nexo.

“Programi mund të jetë i vogël, por domethënia e tij është e madhe”, shtonte Kim duke inkurajuar qeverinë australiane në përqafimin e interesit te hidrogjeni.

FOTO GALERI
2/3
Vetura Hyundai Nexo mund të përshkojë 800 kilometra me një mbushje të plotë dhe kur lëviz në vend që të ndotë, purifikon ajrin ku kalon.

Top Channel