Koreja e Veriut lëshon raketë balistike pas largimit të Kamala Harrisit nga Koreja e Jugut

29/09/2022 17:13

Ushtria e Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut ka lëshuar të paktën një raketë balistike drejt ujërave të saj lindore.

Lëshimi i kësaj rakete erdhi disa orë pasi zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, u largua nga Koreja e Jugut.

Kjo ishte ndalesa e saj e fundit gjatë një udhëtimi katër-ditor në vendet aziatike, në të cilin ajo theksoi angazhimin e SHBA-së për të mbrojtur aleatët e saj përballë kërcënimeve në rritje të Koresë së Veriut.

Ky ishte ishte raundi i tretë i testeve raketore nga Koreja e Veriut këtë javë. Ajo testoi dy raketa balistike të mërkurën, një ditë para se Harris të vizitonte Korenë e Jugut, dhe një para se ajo të largohej nga Uashingtoni të dielën.

Rezolutat e OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të testojë çdo lloj rakete balistike.

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë frikë prej kohësh se Koreja e Veriut mund të kryejë prova të reja bërthamore në çdo kohë.

Ky vend i izoluar është subjekt i sanksioneve të ashpra ndërkombëtare për shkak të programit të tij të armëve bërthamore.

Koreja e Veriut ka kryer një seri testimesh që nga janari, përfshirë edhe lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA