Vijojnë sulmet ukrainase kundër ushtarëve rusë në lindje të Izium, çlirohen pjesërisht disa zona

27/09/2022 14:24

Ushtria ukrainase po vazhdon sulmet e saj kundër forcave ruse në lindje të Izium, duke çliruar pjesërisht fshatin Pisky-Radkivski.

“Fshati Pisky-Radkivski (vendbanimi i dytë më i madh në komunitet, ku rreth 2000 njerëz jetonin para luftës), është tashmë nën kontrollin e Forcave të Armatosura të Ukrainës”, tha përfaqësuesi i fshatit Borova.

Ai deklaroi se ushtria ukrainase po zbulon grupe ushtarësh rusë, që ndodhen ende atje.

“Lufta është duke u zhvilluar. Forcat e Armatosura të Ukrainës po largojnë armikun, por territoret e çliruara po vuajnë nga granatimet e armikut. Tingujt e shpërthimeve dëgjohen vazhdimisht nga veriu, lindja dhe jugu. Autoritetet e pushtimit u larguan nga komuniteti, pothuajse të gjithë bashkëpunëtorët gjithashtu u larguan”, u shpreh ai.

Sipas CNN, ai tha se disa banorë kanë mundur të evakuojnë shtëpitë e tyre, por shumë janë ende të strehuar në bodrume.

Izium, i cili ndodhet pranë kufirit midis rajoneve Kharkiv dhe Donetsk të Ukrainës, ishte subjekt i sulmeve intensive të rusisë. Më pas u bë një qendër e rëndësishme për ushtrinë ruse gjatë pesë muajve të sulmeve.

Forcat ukrainase  morën përsëri kontrollin e qytetit këtë muaj, duke i dhënë një goditje strategjike sulmit ushtarak të Rusisë në lindje.

Top Channel