Shqipëria nuk di më të fitojë! Islanda barazon në minutat shtesë, miqtë luajtën me 10 lojtarë

27/09/2022 22:49

Kombëtarja jonë e futbollit prej një viti tashmë nuk ka shënuar asnjë fitore në fushën e blertë.

Kuqezinjtë luajtën me një lojtar më shumë thuajse gjatë gjithë lojës dhe bënë shumë pak për të fituar ndaj islandezëve dhe ndonëse kryesuan për minuta të tëra, janë ndëshkuar në minutën e 7 dhe të fundit shtesë, duke u ndalur në barazim 1-1 dhe duke mbetur të fundit në grup.

Ermir Lenjani zhbllokon sfidën me një goditje të saktë me kokë, pas një krosimi nga krahu dhe kuqezinjtë kalojnë në avantazh.

Kuqezinjtë e nisin mirë sfidën dhe ndihmohen nga VAR-i, që sinjalizon një karton të kuq për mbrojtësin islandez që në minutën e 8’, duke provuar ta bëjë të lehtë sfidën për tanët, por në fakt nuk rezultoi aspak kështu.

Edi Reja vijoi të këmbëngulë te mbrojtja me 5, pavarësisht se kundërshtari sulmonte vetëm me një lojtar, ndërsa kuqezinjtë vuajtën jo pak për të gjetur goditjen e parë në portë, që erdhi pikërisht në të 35-ën me Lenjanin, i cili gjuajti saktë me kokë dhe shënoi golin e vetëm të sfidës.

Pjesa e dytë ofron një Shqipëri të fikur, që nuk ndizet as nga tentativat personale të Bajramit, ndërsa Islanda i afrohet disa herë golit të barazimit me kundërsulm, por Strakosha bën mirë detyrën në mes të shtyllave.

Zëvendësimet e Rejës janë të vonuara, pas minutës së 70’ dhe disa shpërthime të Brojës ndezin disi entuziazmin, por shumë shpejt fillon të ndjehet frika e barazimit dhe skuadra tërhiqet mbrapa e lëshon terren.

Dhe pikërisht ajo të cilës futbollistët në fushë i druheshin, ndodhi në sekondat e fundit të lojës, kur islandezët shënuan me një krosim perfekt nga krahu i djathtë i sulmit dhe mbajtën vendin e dytë, duke na lënë në fund.

Mbyllet kështu në mënyrë zhgënjyese performanca e kuqezinjve në Ligën e Kombeve, teksa trajneri Edi Reja nuk ia doli të vrasë frikën as me një lojtar më shumë në fushë, duke zhgënjyer sërish me zëvendësimet dhe mënyrën e lojës.

82’ – Broja shërbehet i vetëm me portierin dhe gjuan menjëherë, me topin që shndërrohet në asist për Uzunin, por sulmuesi kuqezi bën më të vështirën, duke e e largua nga rrezja e portës. Gjithsesi më pas arbitri akordon pozicion jashtë loje dhe ndërpret aksionin.

63’ – Kundërsulm i shpejtë i kuqezinjve, me Balliun që galopon për shumë metra dhe shërben për Ramadanin, por topi i gjuajtur prej mesfushorit është i gabuar dhe përfundon jashtë.

61′ – Strakosha grushton tentativën nga distanca të islandezëve

53’ – Lenjani i kthen borxhin Uzunit, duke e shërbyer mjaft mirë në zonë, por sulmuesi beratas gjuan lehtë dhe pret portieri islandez.

51’ – Bajrami provon me goditje nga distanca, por topi devijohet nga një mbrojtës. Ka dyshime për penallti, por pas verifikimit nga VAR-i, arbitri urdhëron vijimin e lojës.

49’ – Bajrami depërton mirë në zonë, duke dribluar disa kundërshtarë, por pasimi largohet nga mbrojtja mike.

– Mbyllet pjesa e parë me avantazhin minimal 1-0 të Shqipërisë, falë golit të shënuar nga Ermir Lenjani. Kuqezinjtë luajnë me një lojtar më shumë, që prej minutës së 8′.

41’ – Tjetër vertikalizim për Uzunin, që godet diagonal, por grushton portieri islandez, ndërsa më pas një mbrojtës largon rrezikun.

35’ – Gol! Ermir Lenjani zhbllokon sfidën me një goditje të saktë me kokë, pas një krosimi nga krahu dhe kuqezinjtë kalojnë në avantazh. Myrto Uzuni jep krosimin për golin e parë të Shqipërisë.

32’ – Lenjani hyn në zonë, lirohet me të djathtën dhe godet, por vetëm këndore. Kuqezinjtë vuajnë ende të gjejnë goditjen e parë në portë.

27’ – Kërcënon Islanda nëpërmjet një goditjeje nga këndi, por Strakosha ndërhyn në mënyrë vendimtare dhe grushton në një tjetër këndore.

23’ – Tjetër krosim për Uzunin në zonë, por këtë herë sulmuesi nuk koordinohet mirë dhe dërgon topin jashtë.

19’ – Ismajli nis një top të gjatë për Uzunin, që kalon portierin, por më pas një mbrojtës islandez ia largon sferën nga këmbët, duke e dërguar në këndore.

13′ – Bajrami ekzekuton goditjen e dënimit, por topi devijohet nga një futbollist i Islandës dhe përfundon në këndore.

9’ – Arbitri ndal lojën, pasi e thërrasin në dhomën e VAR-it. Përsëritja e aksionit i tregon se ka faull ndaj Uzunit dhe karton të kuq për mbrojtësin islandez. Një bonus vërtetë i madh për kuqezinjtë.

8’ – Uzuni niset i vetëm drejt portës islandeze, por ndalet nga mbrapa, megjithatë për arbitrin nuk ka faull.

– Starton sfida në “Air Albania”

Trajneri Reja ka bërë disa ndryshime krahasuar me sfidën e tri ditëve më parë në Izrael, teksa Sokol Cikalleshi luan me shiritin e kapitenit në krah të Uzunit në sulm, ndërsa Lenjani merr vendin e Hysajt në të majtë, në rreshtimin 3-5-2.

Klaus Gjasula konfirmohet sërish në qendër të mbrojtjes me tre, rol që e ka bërë edhe me Darmstadtin, por edhe për rreth 60 minuta në Izrael, ndërsa Ramadani ka marrë vendin e Kristjan Asllanit para mbrojtjes.

FOTO GALERI
24/30

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA