Georgia Meloni e drejtoi fushatën e saj zgjedhore me sloganin populist “Italia dhe populli Italian, në radhë të parë!” Kryetarja e partisë radikale Fratelli d’Italia preku pika nevralgjike të votuesve duke apeluar për më shumë përfitime familjare, më pak burokraci europiane, taksa më të ulëta dhe frenim të emigracionit.
Në një kohë krize si kjo që po përjeton Europa e Italia bashkë me të, fjalë të tilla ishin muzikë për veshët e italianëve të thjeshtë. Ndjekësit e saj besojnë me forcë se vendi tashmë është në një pikë kthese në favor të punonjësve, studentëve biznesit.
“Duhet të bësh dy punë që të mbyllësh muajin. Mbijetesa është bërë gjithmonë e më e vështirë. Mezi arrij të paguaj kredinë e shtëpisë”, Mercedes Usai, anëtare e FDI-së. Shumë italianë urojnë që me Giorgia Melonin, gjerat për ta do të ndryshojnë. Të tjerë kërkuan të trazojnë ujrat, thjesht edhe për hir të ndryshimit.
Rita Sciuto: Jam votuese e krahut të djathtë dhe jam e lumtur ta shohë Giorgia Meloni në qeverisje. Ajo është një njeri i formuar, me kulturë, flet katër gjuhë të huaja, shumë e përgatitur. Sulmet kundër saj janë thjeshte xhelozi sepse është inteligjente, e fortë, e lirë dhe e ndershme.
“Nuk e di nëse një qeveri e djathtë do të prodhojë zgjidhje për Italianë, sepse problemet sot janë mbarëbotërore, nuk ka zgjidhje magjike për to. Megjithatë, ndonjëherë duhet të ketë ndryshim”.
Rezultatet e së djelës në Itali erdhën në një kohë kur edhe parti të tjera të ekstremit të djathtë kanë shënuar progress në Europa së fundi, përfshirë këtu ngritjen e partisë kundër emigracionit në Suedi, Demokratët Suedezë- një forcë politike kjo me rrënjë-neonaziste.Në Francë, ideologia e ekstremit të djathtë Marine Le Pen i humbi zgjedhjet presidenciale përballë Emmanuel Macron, por vota popullore e saj e zhvendoi në mënyrë dramatike drejt së djathës boshtin politik të vendit.
Le Pen ishte nga të parat që reagoi ndaj fitores së Melonit, duke thënë se “populli Italian zgjodhi një qeveri sovraniste”. BE-ja nuk e ka fshehur shqetësimin nga ky triumf i ekstremit të djathtë në Itali, por zyrtarët e saj tregohen të kujdesshëm.”Kjo nuk është hera e parë që ne rrezikojmë të përballemi me qeveri të formuara me parti të ekstremit të djathtë ose të majtë,” u shpreh komisioneri europian Didier Reynders, një veteran i politikës së bllokut. “Votuesit le të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Ne do të reagojmë ndaj veprimeve të qeverisë së re dhe kemi instrumente në dispozicion”, u shpreh ai, duke i bërë kështu jehonë deklaratave të mëhershme të kryetares së KE-së, Ursula von der Leyen, e cila paralajmëroi se Brukseli i ka mjetet “mjete” për t’u marrë me shtetet anëtare që dalin nga shinat. “Qasja ime është se cilado qeveri demokratike është e gatshme të punojë me ne, ne do të punojmë së bashku,” e bëri të qartë ajo.
Top Channel