Presidenca çeke e BE-së është vënë seriozisht në lëvizje për ta çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

Zëdhënësi i saj Václav Smolka, pohoi për Gazetën Express në Kosovë se raporti i Komisionit Evropian për situatën aktuale me vizat pritet të prezantohet në takimin e Grupit e Punës për Vizat në 13 tetor. Paskësaj, pala ceke do të bëjë c’është e mundur për ta futur sa më shpejt për diskutim në axhendën e ministrave.

Sipas zëdhënësit, vendimi për vizat që me gjasë zgjat disa muaj, mund të merret në nivel të ministrave, pavarësisht se si rrjedhin gjërat në takimet joformale të shefave të shteteve të BE’së. Një prej tyre do të zhvillohet në 7 tetor. Raporti i KE-së do të shërbejë si bazë për të nisur debatin për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e Bashkimit Europian. Smolka konfirmon se në mesin e vendeve anëtare ekziston gatishmëria që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave për zonën Schengen.

Franca dhe Holanda, dy nga shtetet hezituese që kosovarët të lejohen të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, tani nuk kanë më dilema. “Liberalizimi i vizave për Kosovën është aktualisht shumë lart në axhendën e Presidencës Çeke. Komisioni Europian është duke përgatitur një raport për situatën aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për të nisur një debat për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së.

Zëdhënësi pohoi megjithatë se progresi për heqjen e vizave për Kosovë varet edhe nga situata politike në rajon duke nënkuptuar këtu përparimin në dialogun Kosovë-Serbi.

Top Channel