Në një kohë kur sulmet kibernetike nga Irani kundrejt Shqipërisë janë të njëpasnjëshme, ambasadorja e shteteve të bashkuara të Amerikës Yuri Kim garanton mbështetjen e SHBA në mbrojtjen e të dhënave të shqiptarëve.

“Siç kemi parë atë që ka ndodhur rishtaz në Shqipëri, këto muajt e fundit, ne po sigurojmë mbrojtjen nga keqdashës qe dëmtojnë jetën e qytetareve dhe minojnë besimin e tyre ne demokraci Kjo konferencë për qytetet digjitale vjen në një moment kur të gjithë kërkojmë përgjigjen e pyetjes: Si mund të kombinojmë teknologjinë dhe liderët në mënyrën e duhur për të qenë të sigurt dhe për të përmirësuar të drejtat e qytetarëve tanë? Shtetet e bashkuara të Amerikës janë këtu për të ndihmuar. Vërtet do ju ndihmojmë. Dhe një nga mënyrat është duke mbledhur disa prej mendjeve më të vyera në këtë konferencë për sigurinë kibernetike”- tha Yuri Kim.

Për here të parë , dhoma amerikane e tregtisë organizoi  në Tiranë konferencën rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor për qytetet inteligjente. Me qëllimin për të modernizuar shërbimet publike si dhe duke promovuar investimet në teknologjitë e sigurta, u mblodhën këtë të martë profesionistë nga kompanitë botërore lider si Microsoft apo Amazon si dhe përfaqësues rajonalë të pushtetit lokal për të dhënë zgjidhje në qasjen ndaj sfidave të digjitalizimit.

“Sulmi kibernetik nga Irani, ishte jo vetëm i lig në kuptimin politik, por sepse ndërpreu disa nga shërbimet tona. Ishte një sulm me pasoja për të cilin duhet të jemi të përgatitur për çfarë kemi përpara nga pikëpamja digjitale. Zgjidhja nuk është të ‘mbyllemi’, por të jemi të përgatitur”- tha Erion Veliaj.

“Jam krenare që kemi  ndihmuar për masat kibernetike para, gjatë dhe që në çastin kur Irani sulmoi sistemet digjitale të qeverisë shqiptare që është në fakt edhe një sulm kundër popullit shqiptar. Mbi të gjitha, SHBA është gjithmonë e gatshme për t’ju mbrojtur nga sulmet dashakeqëse ndaj teknologjive të reja. Por për shkak të varësisë së qytetarëve ndaj botës digjitale, kemi nevojë për partneritet mes qeverisë dhe sektorit privat që të vazhdojmë të kemi e të ruajmë njerëzit tanë, bizneset dhe demokracinë të sigurt!”- tha ambasadorja Kim.

Fjala e Plotë: 

Jam shumë e mërzitur këtë mëngjes! Do ju them përse. Jam shumë e mërzitur sepse po shoh axhendën dhe po e kuptoj se kanë ardhur persona fantastikë për këtë konferencë dhe janë përgatitur sesione fantastike, dhe sinqerisht do të doja të kisha lënë hapësirë në programin tim sot dhe nesër për të marrë pjesë në të gjitha këto sesione.

Më vonë do të dëgjojmë Alice Ekman, Evanna Hu, Sheena Greitens teksa do të flasin për rreziqet e sulmeve kibernetike. Dhe ky diskutim nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të rëndësishme. Është vërtetë e shkëlqyer të kemi sot një sallë mbushur me udhëheqës vendor, kryetarë bashkie, zëvendës kryetarë, të cilët kryejnë punën, dhe udhëheqës e mendimtarë të industrisë.

Udhëheqësit vendorë kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm në demokraci. Ju keni lidhjen më të ngushtë me bashkëqytetarët tuaj dhe ofroni disa nga mënyrat më domethënëse për të përmirësuar jetën e tyre. Gjithashtu, ju e dini vetë, më mirë se ne, se për çfarë kanë nevojë dhe çfarë duan qytetarët e të gjitha moshave dhe të gjitha prejardhjeve për të bërë një jetë më të sigurt, më të lumtur dhe më produktive. Ju gjithashtu i njihni kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen zgjedhësit tuaj çdo ditë – qasja në shërbime, mbrojtja nga krimi dhe – siç e kemi parë në Shqipëri muajt e fundit – mbrojtja nga aktorë keqdashës të cilët kërkojnë të hakerojnë dhe prishin jetën e qytetarëve, duke minuar kështu besimin në demokraci.

Kjo konferencë e “Qyteteve Inteligjente” vjen në një çast kur ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes: Si mund t’a lidhim teknologjinë e duhur me drejtuesit e duhur në mënyrën e duhur për të mbrojtur dhe përmirësuar jetët e bashkëqytetarëve tanë?

Shtetet e Bashkuara janë këtu për të ndihmuar – shpesh themi se qeveria është këtu për t’ju ndihmuar. Ne vërtet jemi këtu për t’ju ndihmuar. Dhe ndihma për organizimin e kësaj konference është një nga mënyrat se si ne duam ta bëjmë këtë gjë. Ne duam të ndihmojmë duke mbledhur së bashku disa nga mendjet më të ndritura. Dhe ashtu siç thashë edhe mbrëmë, ne duam të mbledhim së bashku ata që ëndërrojnë dhe ata që bëjnë punë, në mënyrë që të sjellim rezultate të vërteta.

Jam krenare që, këtu në Shqipëri, kemi ndihmuar me masat e sigurisë kibernetike para, gjatë dhe qysh prej sulmeve kibernetike të pamatura dhe të papërgjegjshme të Iranit kundër qeverisë dhe, në fakt, kundër popullit shqiptar. Në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara punojnë gjithmonë me aleatët dhe partnerët për mënyrat se si të mbrojmë qeveritë dhe njerëzit tanë nga përdorimi keqdashës i teknologjive të reja.

Por, për shkak të varësisë së qytetarëve tanë nga teknologjia dhe rreziqet e vazhdueshme për sigurinë dhe privatësinë e tyre nga aktorët keqdashës, ne të gjithë kemi nevojë për partneritete – ndërmjet qeverive dhe me sektorin privat – për t’i mbajtur njerëzit tanë, bizneset tona dhe demokracitë tona të sigurta.

Përgjatë kësaj konference, ju do të keni mundësinë të diskutoni se si ta bëni teknologjinë të funksionojë për demokracinë, për lirinë e internetit dhe për privatësinë e sigurinë e qytetarëve tanë. Të gjithë e dimë se rreziqet janë aty, ne i kemi parë – qeveritë autoritare që çojnë përpara axhendat e tyre duke eksportuar teknologji si kamerat në rrjet, sensorët dhe shërbime vendndodhjeje që mbledhin të dhënat e qeverisë dhe qytetarëve dhe i përdorin për qëllime të tjera. Shtetet e tjera sponsorizojnë sulme kibernetike për të vjedhur, prishur ose shkatërruar të dhënat e qytetarëve dhe sistemet dixhitale që na mbrojnë ne, të dashurit tanë dhe sigurinë tonë kombëtare.

Jemi të kënaqur që kemi disa nga njerëzit e duhur këtu në këtë sallë – drejtues vendorë, profesionistë të teknologjisë dhe ekspertë nga Shtetet e Bashkuara dhe mbarë Europa, të cilët kuptojnë rreziqet dhe, unë besoj, se mund të japin përgjigje. Ju do të gjeni mënyra për të shmangur shitësit e pabesueshëm dhe do të mësoni rreth alternativave të sigurta dhe të besueshme. Ju do të gjeni gjtihashtu mënyra të reja për të vazhduar ndërtimin e “qyteteve inteligjente” – një proces që prek të gjitha pjesët e jetës sonë, përfshirë infrastrukturën kritike të tillë si transporti, shpërndarja e energjisë elektrike, kujdesi shëndetësor, shërbimet utilitare dhe shumë të tjera.

E di që do të keni diskutime të frytshme dhe shpresoj se do të ktheheni në qytetet, institucionet dhe selitë tuaja me plane të reja pune që u shërbejnë nevojave të qytetarëve pa cënuar sigurinë e tyre – përkundrazi, që forcojnë sigurinë. Ky është i gjithë thelbi i kësaj konference. Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe shpresoj që kjo konferencë të jetë e dobishme për ju.

Tirana është bërë pjesë e zhvillimit teknologjik tha kryetari i bashkisë Erion Veliaj me transformimin e piramidës në qendrën më të madhe digjitale në Ballkan.

“Nga ky vit do të fillojmë mësimin e kodimit që në klasën e parë. Piramida, që dikur ka qenë mauzoleumi i diktatorit, do të jetë një vend ku të rinjtë do të mësojnë robotikën, megatronikën, për realitetet virtuale etj. Kjo do të prodhojë një ekosistem, të cilin po e pasurojmë me ‘Ecole 42’ apo ‘Factory Berlin’, shkolla ku mësohet mbi teknologjinë. Po ashtu, javën e kaluar kishim në Tiranë festivalin Digital Nomads, ndërkohë kemi investuar në aplikacione si Tirana Ime, që afrojnë qytetarët me shërbimet publike”- tha Veliaj.

Top Channel