Vdekja e 22-vjeçares në duart e policisë, shpërthejnë protestat në Iran

20/09/2022 22:33

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Iran pas vdekjes së një 22-vjeçare në duart e pjesëtarëve të të ashtëquajturës “policia e moralit”.

Arsyeja e ndalimit dhe rrahjes barbare të vajzës ishte mënyra jo e rregullt sipas policëve të mbikqyrjes së sjelljes, të vendosjes së hixhabit nga ana e saj. Mahsa Amini, ndërroi jetë në spital tre ditë pas dhunës së ushtruar ndaj saj.

Aktivistët thonë se vajza kishte marrë një goditje shumë të fortë në kokë, ç’ka nuk është konfirmuar nga autoritetet iraniane, ndërsa ende pritet rezultati i hetimit. Grupe studentësh që kërkuan drejtësi për të, u përleshën me forcat e rendit ne kampusin e Universitetit të Teheranit për Shkencat dhe Teknologjinë.

22-vjeçarja nga qyteti i vogël Saghes, në fillim të javës kishte udhëtuar me vëllanë në Teherain për të parë kryeqytetin. Për shkak të mbajtjes së papërshtatshme të hixhabit të detyruar Mahsa u arrestua të martën e kaluar rreth orës 18:00 nga policia e mbikqyrjes së sjelljes në Iran dhe dy orë më vonë u dërgua e pajetë në spital. Ajo papritur humbi ndjenjat, pretendon policia.

Një foto e tregon Mahsën në shtrat me sy të enjtur dhe veshë të gjakosur. Kjo foto u përhap me shpejtësi në internet dhe duket se preku një nerv në shoqërinë iraniane – vuajtjen e grave, vajzave nënave nën poshtërimet e keqtrajtimet e përditshme për shkak të detyrimit të mbajtjes së hixhabit. Që nga Revolucioni Islamik, 1979, gratë në Iran janë të detyruara të respektojnë rregulla strikte të veshjes, që përcaktojnë si duhen mbuluar flokët dhe pjesa tjetër e trupit. Miliona gra e kundërshtojnë këtë, shpesh në heshtje dhe pa rënë në dy, por vitet e fundit gjithnjë e më shpesh edhe publikisht.

Top Channel