Lufta në Ukrainë dhe pasojat, tema që do dominojë mbledhjen e Kombeve të Bashkuara 

20/09/2022 17:31

Pushtimi rus i Ukrainës pritet të dominojë takimin e parë fizik të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në tre vjet.

Udhëheqësit botërorë po mblidhen në Nju Jork për samitin, i cili vjen nën hijen e luftës në Ukrainë.

Gati 150 krerë shtetesh dhe qeverish janë në listën e folësve. Kjo është një shenjë se pavarësisht mosdakordësive që mund të kenë shumë vende me njëra tjetrën, OKB-ja mbetet vendi kyç i mbledhjes së presidentëve, kryeministrave, monarkëve dhe ministrave që jo vetëm të japin pikëpamjet e tyre, por të takohen privatisht për të diskutuar sfidat në axhendën globale.

Në krye të kësaj axhende për shumë njerëz është: pushtimi i Rusisë në Ukrainë, i cili jo vetëm kërcënon sovranitetin e fqinjit të saj perëndimor, por ka ngritur frikën për një katastrofë bërthamore pasi centrali bërthamor më i madh i Evropës në juglindjen është në duart e pushtuesve.

Vdekja e Mbretëreshës Elizabetë II e ka ndryshuar agjendën e samitit. Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili sipas traditës flet në ditën e parë të samitit, kësaj here do të marrë pjesë të mërkurën.

Në ditën e parë do të mbajnë fjalime presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz – liderët e dy ekonomive më të mëdha në Bashkimin Evropian.

Megjithëse Ukraina do të dominojë diskutimin, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka bërë thirrje liderëve që të mos harrojnë prioritetet tjera si edukimi.

Ai ka paralajmëruar se pandemia e koronavirusit ka shkaktuar ndikim shkatërrues në procesit e të mësuarit, pasi nxënësit e varfër nuk kanë pasur qasje në teknologji të avancuar.

Top Channel