Cila është rruga që duhet të ndjekësh për të marrë titujt shkencorë?
Referuar VKM-së 112 të vitit 2018, kriteret për përfitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe titujve akademikë “Profesor i asociuar” dhe “Profesor” janë të përcaktuar në mënyrë strikte.
Për të marrë gradën “doktor” në fund të studimeve të ciklit të tretë kandidati, duhet të ketë realizuar 3 referime, 2 nga të cilat të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium,konferencë, kongres), në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian ose G20-ës; të ketë botuar, së paku, 3 (tre) artikuj shkencorë në revista shkencore, nga të cilët 2 (dy) të jenë botuar ose pranuar për botim në revista të indeksuara;
Vkm-ja përcakton se revistat e indeksuara dhe me faktor impakti faktor impakti duhet të jënë të rankuara nga Thomson Reuters ose Scopus .
Por të gjitha këto botime kushtojnë, ndërkohë që në vendin tonë ka edhe një paradoks tjetër: doktoranti jo vetëm që nuk paguhet gjatë tre viteve që zgjat ky cikël studimesh, por madje ai duhet të paguajë që të pranohet.
Mesatarisht, përllogaritet që një doktorant ka një kosto prej afërsisht 10 mijë euro për të përfunduar ciklin. Nga të cilat 5 mijë euro tarifa që i paguan universitetit dhe 5 mijë euro për kërkim shkencor, pjesëmarrje në konferenca dhe botime të tyre, gjë që e kompromenton këtë proces.
“Kjo është një shumë jashtëzakonisht e lartë, në më të paktën ne do të kemi një ulje të cilësisë së doktorantëve, por në më të keqen do të kemi nxitje të korrupsionit pasi ata do të duan të kenë një mënyrë sa më të shpejtë për rikuperimin e të ardhurave që shpenzuan për marrjen e titullit shkencor” u shpreh Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare
Sa kohë që shteti nuk ka vendosur ti financojë doktorantët, një pjesë e konsiderueshme nuk investohen në kërkimin shkencor, por bëjnë punime të përcipta që i çojnë në revista rajonale pa faktor impakti. Ndërtohen skema dhe aktivitete në kufijtë e fiktivitetit ku konferencat të konsiderohen ndërkombëtare dhe cilësia e punimeve lë për të dëshiruar.
“Sot në momentin që p.sh unë vij nga Zvicra, bëjmë një takim, e quajmë takim internacional dhe ty mund të të konvertohet në titull akademik, nuk ka reflektim mbi asgjë se çfarë ndodhi, as mbi plagjaturat, mbi protestat e studentëve”u shpreh studiuesi Taulant Muka
Në këtë panoramë të zymtë që është e dukshme, pyetja që ngrihet është se si janë me kërkimin shkencor elitat e universiteteve shqiptare, pra rektorët dhe dekanët? A bëhet kërkim shkencor cilësor në universitetet shqiptare.
Top Channel