Erdogani-Putinit: Rikthejua Krimenë pronarëve të vërtetë

20/09/2022 17:13

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është i fundit, që i bashkohet grupit të liderëve që po bëjnë deklarata goditëse ndaj Putinit.

Erdoğan, tha se presidenti rus duhet të kthejë të gjitha tokat që Rusia ka pushtuar, përfshirë Krimenë.

Gadishulli i Detit të Zi duhet t’u kthehet “pronarëve të tij të ligjshëm”, tha Erdogan për PBS NewsHour në nisje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, komente këto që mund të provokojnë zemërim në Moskë.

Narendra Modi i Indisë ngriti shqetësime javën e kaluar për luftën e vazhdueshme të presidentit rus ndaj Ukrainës dhe vetë Putini pranoi se edhe Xi Jinping i Kinës shprehu “shqetësime”.

Erdogan i tha medias se kur u takua me Putinin në Uzbekistan javën e kaluar, presidenti rus i dha atij përshtypjen se ishte “i gatshëm t’i jepte fund kësaj sa më shpejt të ishte e mundur”.

Erdogan tha gjithashtu se 200 pengje do të shkëmbehen mes Ukrainës dhe Rusisë.

Që nga fillimi i luftës në shkurt, Ankaraja ka pritur bisedime me zyrtarë nga Moska dhe Kievi në nivelin më të lartë dhe ka ndërmjetësuar një marrëveshje gruri së bashku me OKB-në për të siguruar eksporte të sigurta ushqimore nga portet e bllokuara ukrainase.

 

Top Channel