Të ftuarit e nderit/ Marrin pjesë qindra krerë shtetesh, në Londër dhe perandori e perandoresha e Japonisë

19/09/2022 13:10

Me një ceremoni madhështore shtetërore Britania e Madhe i jep sot lamtumirën e fundit Mbretëreshës Elisabeth II.

Nga e gjithë bota në ceremoni marrin pjesë krerë shtetesh e qeverish, mes tyre presidenti amerikan, Biden. Liderët u mblodhën në Westminster Abbey, aty ku Mbretëresha Elisabeth II u kurorëzua në vitin 1953.

Mbi 2.000 persona marrin pjesë në shërbesën në Uestminister, në krye me Mbretin Karli i tretë.

Ndërkaq, në shërbesën që mbahet në faltore e Shën Xhorxhit në Kështjellën Uindsor janë ftuar 800 mysafirë.Në varrimin e Mbretëreshës, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar anëtarët e familjeve mbretërore nga Evropa dhe bota. Perandori i Japonisë Naruhito dhe Perandoresha Masako thyejnë traditën japoneze, duke marrë pjesë në funeralin e monarkes britanike.

Me stë pranishmëve ishte edhe  gruaja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Olena. Ftesën e ka pranuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur Mbretëreshën Elizabeth II si “mbretëreshë të përjetshme”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ai i Brazilit, Jair Bolsorano, po ashtu marrin pjesë. Kina ka njoftuar se i pranishëm do të jetë zëvendëspresidenti, Wang Qishan. Në mesin e 500 liderëve botërorë do të jenë edhe ata të Italisë, Gjermanisë, Izraelit, Koresë së Jugut, Irlandës dhe liderët e 56 shteteve të Komenuellthit.

Por, ka edhe ata që nuk janë ftuar. Për shkak të raporteve të tensionuara, Mbretëria e Bashkuar ka ftuar ambasadorët, jo krerët e shtetit, të disa shteteve, sikurse Iranit, Nikaraguas dhe Koresë së Veriut.

Rusia dhe Bjellorusia janë në mesin e një grupi të vogël që nuk janë ftuar fare në varrim për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.Po ashtu, liderët talibanë afganë nuk janë ftuar, e as liderët e Mianmarit, Sirisë dhe Venezuelës.

Top Channel