Britania në krizë, shpenzimet e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II

19/09/2022 12:20

Ndonëse krizë, askush nuk shqetësohet (të paktën për momentin) lidhur me shpenzimet e funeralit të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë.

Një ceremoni pompoze, me momente solemne, homazhe, procesione ushtarake, ekrane të mëdhenj për të transmetuar në kohë reale atë që ndodh në prani të liderëve të shteteve e përfaqësuesve nga familjet mbretërore në Europë.

E vështirë të bëhet një vlerësim i saktë i kostove për një organizim të përmasave të tilla dhe që në Britaninë e Madhe nuk shihet në rreth 60 vjet kur ndërroi jetë kryeministri Winston Churchill. Por, flitet për miliona paund dhe kush i jep janë taksapaguesit britanikë.

Për një homazh të denjë gruas e cila mbretëroi për mbi 70 vjet në Mbretërinë e Bashkuar, nuk mundej të mos zhvillohej një event faraonik. Nuk ka dyshime se shifrat kapërcejnë 4 milion paundët e shpenzuar për funeralin e Princeshë Dianës në vitin 1997 apo 5 milionët kur u nda nga jeta Nëna Mbretëreshë, 20 vjet më parë.

Nuk ka krahasim as me ceremoninë e lamtumirës për Princin Filip. Për bashkëshortin e ndjerë të Mbretëreshës, në prill të vitit të kaluar pati një organizim modest për shkak të kufizimeve të pandemisë COVID-19.

Për shërbesën fetare në kishën Westminster Abbey, në Londër shkuan edhe presidenti amerikan Joe Biden, ai francez Emmanuel Macron e imperatori i Japonisë, Naruhito. Ata janë vetëm disa prej liderëve të shumtë, siguria e të cilëve kushton dhe kërkon angazhim të shtuar të forcave të rendit, që në këtë rast janë të shumtë në numër.

Po ashtu, nuk diskutohet që shpenzimet e funeralit të monarkes kapërcejnë edhe 6.3 milion paundët e vitit 2011 kur u martuan Princi William dhe Kate Middleton. Top Albania Radio shkruan se krahas kostove të dukshme janë edhe ato indirekte, pasi gjithçka është ndalur sot në Mbretërinë e Bashkuar: shkolla, spitale, farmaci, aktivitete tregtare. Gjithçka do të rëndojë xhepat e taksapaguesve duke iu shtuar totalit të kostove vjetore të familjes mbretërore që vitin e kaluar ishin 200 milion paund.

Top Channel