Zelensky i prerë: Rusia të shpallet shtet që sponsorizon terrorizmin

17/09/2022 09:10

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti thirrjen e tij për komunitetin global që ta njohë Rusinë si shtet sponsorizues të terrorizmit.

Apeli i kreut të shtetit të Ukrainës erdhi pas zbulimit të një varri masiv në Izium, në verilindje të vendit, Zelensky tha se  mungesa e një vendimi të tillë do të ishte e barabartë me një “tradhti” ndaj të gjithë atyre që vdiqën në territoret e pushtuara nga trupat e Moskës.

“Sot, të gjitha shërbimet tona hetues, prokurorë, ekspertë, po punojnë në qytetin e Izium në rajonin e Kharkivit. Më se njëqind gazetarë ukrainas dhe ndërkombëtarë ndodhen tani atje. Bota duhet ta shohë se ka lënë pas ushtria ruse: një varr masiv ku trupa fëmijësh e të rriturish, civilësh e ushtarakësh. Të torturuar, të pushkatuar, të vrarë nga bombat e predhat e mortajave”, tha Zelensky.

Shtëpia e Bardhë i komentoi të dhënat e fundit nga Ukraina për zbulimin e kësaj varreze. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se “raportet që po shohim në përgjithësi flasin për më shumë se 440 varre, ku përfshihen civilë. Është e tmerrshme.

Është e neveritshme. Dhe fatkeqësisht, është në përputhje me llojin brutalitetit me të cilin forcat ruse kanë ndjekur penalisht këtë luftë kundër Ukrainës dhe popullit ukrainas. Ne do të vazhdojmë të mbështesim në mënyrë aktive përpjekjet për të dokumentuar krimet e luftës dhe mizoritë që forcat ruse kryejnë në Ukrainë dhe për të ndihmuar përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të identifikuar dhe mbajtur rusët përgjegjës”, ishte komenti i tij.

Ndërkohë të paktën dy sulme të reja ruse goditën Kharkivin, ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë të mbajnë kontrollin mbi territoret e çliruara nga forcat ruse.Nuk raportohet për viktima, por të paktën 4 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre 2 fëmijë.

Top Channel