Kombëtarja e Shqipërisë fillon këtë fundjavë përgatitjet për dy ndeshjet e Nations League. Kuqezinjtë e Edi Rejës numërojnë një pikë pas dy ndeshjeve të para në Grupin 2 të Ligës B. Në 24 nëntor luajmë në transfertë përballë Izraelit, ndërsa tre ditë më vonë presim Islandën në “Air Albania”, duele që do transmetohen në SuperSport.

Dy fitoret sjellin vendin e parë në grup, ndërkohë që trajneri italian preku disa tema të ndryshme në prononcimin për shtypin, duke nisur nga mungesat e emrave si Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla.

“Ndeshje të vështira dhe tepër të rëndësishme për fatin tonë në këtë grup. Nuk duhet të qahemi për mungesat, janë lojtarë të rëndësishëm, por duhet të luajmë me bindjen dhe besimin për t’ia dalë, edhe pse e dimë që është e vështirë. Duam të marrim maksimumin, duhet të besojmë deri në fund.

Gjimshiti, Kumbulla dhe Çekiçi? Çekiçi doli jashtë pas një problemi muskulor, edhe Bare ka probleme pasi është rikthyer pas një kohe të gjatë. U kam kërkuar të vijnë në grumbullim, shpresoj të rikuperohen. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me stafet mjekësore. Jemi në një situatë emergjente, njësoj si ndaj Polonisë kur na munguan 7-8 lojtarë. Më vjen keq, nuk na duheshin këto dëmtime përpara këtyre dy ndeshjeve, por jemi të gjallë dhe do provojmë shanset tona.

Na mungojnë dy qendërmbrojtës, nuk kemi probleme në krahë. Hoxhallarin e shoh më shumë si anësor të majtë, edhe pse e kam menduar edhe si qendërmbrojtës të tretë. Të shohim si do jetë gjendja e gjithë lojtarëve, Hoxhallari është në listën e pritjes. Kemi edhe lojtarë si Mihaj, Veseli dhe Ajeti në mbrojtje. Edhe pse në Serie C, ky i fundit po bën mirë.

Preferoj të marr 23-24 lojtarë në total, pasi me 27 lojtarë dikush përfundon në tribunë dhe mërzitet, doja ta evitoja këtë gjë. Ky është grupi, nuk më pëlqen të bëj shumë eksperimente përpara ndeshjeve të rëndësishme.

Jemi akoma në garë për vendin e parë. Kemi lojtarë me eksperiencë. Aspekti karakterial dhe personaliteti i lojtarëve janë shumë të rëndësishme për këto dy ndeshje. Kundërshtarët i njohim, kam besim tek ekipi. Duhet shumë karakter, sidomos në Izrael.

Sulmi? Tentoj të vendos në fushë një skuadër sa më të ekuilibruar, sigurisht duke pasur fokusin nga mesfusha e lart. Bajrami po luan, por nuk ka bërë super paraqitje, Çekiçi po bën mirë dhe realizoi një eurogol. Izraeli ka një skuadër të shpejte dhe teknike, të jemi të kujdesshëm. Do të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje.

Do jemi mirë, fizikisht dhe mentalisht. Izraeli ka një skuadër të mirë. Të futemi në fushë me agresivitetin e duhur, por kemi nevojë edhe për shumë personalitet. Zgjedhjet do i bëj pasi të shoh lojtarët në stërvitje, në këtë betejë do luajnë ata që janë më në formë.

Presion do ketë, Izreali është i fortë në fushën e tij, por e shoh pozitiv presionin që do kemi. Ata janë të fortë kur sulmojnë, t’i prishim aksionet e tyre dhe t’i godasim më pas. Të shkojmë me besimin që mund të marrim maksimumin, edhe pse e dimë që na pret një ndeshje e vështirë.

Harmonia ka qenë gjithmonë në këtë ekip, pastaj ka lojtarë që nuk luajnë dhe mërziten. Nuk kemi treguar një rendiment shumë të mirë në ndeshjet e kaluara, por ka lojtarë që nuk kanë dhënë më të mirën sa i përket rendimentit. Dy golat e Izraelit ua dhuruam vetë. U ndëshkuam në momentet që po bënim lojë, duhet të korrigjohemi në këtë aspekt, por nuk ka lidhje harmonia.

Grupi funksionin prej momentit që jam këtu. Sigurisht që kemi pasur ndonjë problem, por e kemi kaluar. Lojtarët duhet t’i pranojnë zgjedhjet. Kur të vijnë lojtarët do bëjmë analizat e dy ndeshjeve të fundit. Do diskutojmë se ku duhet të korrigjohemi”, përfundoi trajneri italian i kuqezinjve./supersport

Top Channel