Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Zonja e Parë, Jill Biden, më 17 shtator kanë udhëtuar drejt Londrës për të marrë pjesë në varrimin e Mbretëreshës Elizabeth II.
Shtëpia e Bardhë tha më herët se Biden ka pranuar ftesë nga Pallati Mbretëror për të marrë pjesë në funeral, që do të mbahet më 19 shtator në Kishën Uestminister.
Nga Shtëpia e Bardhë sqaruan se vetëm Biden është ftuar dhe jo ish-presidentët e tjerë amerikanë.
Mbretëresha Elizabeth II vdiq më 8 shtator. Ajo mbretëroi për 70 vjet, duke u bërë monarkja britanike që ka qëndruar më së gjati në fron.
*Video nga arkivi: Mbretërimi shtatë dekadësh i Elizabeth II
Një takim i paraparë për 18 shtator midis Biden dhe kryeministres së re britanike, Liz Truss, është anuluar, thanë zyrtarët.
Në vend të këtij takimi, Biden dhe Truss do të zhvillojnë një “takim të plotë dypalësh” javën e ardhshme gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Zyrtarët nuk kanë treguar se pse takimi Biden-Truss është anuluar./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel