Ra nga kati i 8-të teksa kërcente mbi divan, studentja 21-vjeçare i mbijeton mrekullisht rënies së tmerrshme

30/09/2026 13:27

Një studente 21-vjeçare e Universitetit të Georgias ka mbijetuar mrekullisht pasi ra nga dritarja e një apartamenti në katin e tetë të një pallati në Athens, Georgia.

Kristin Sargent, studente e vitit të fundit në degët financë dhe marketing, ndodhej në një apartament në kompleksin “The Rambler” të shtunën në mbrëmje, kur ndodhi aksidenti.

Sipas raportit të policisë, vajza po kërcente mbi një divan ose dyshek pranë një dritareje të hapur. Në një moment, ajo ka kaluar përmes rrjetës mbrojtëse dhe ka rënë nga kati i tetë, duke përfunduar në zonën pranë pishinës.

Oficeri Erik Ellison raportoi se në vendngjarje u gjetën shenja që tregonin se studentja mund të kishte goditur një stol metalik gjatë rënies. Një pjesë e mbështetëses së stolit ishte thyer dhe në jastëk kishte gjurmë gjaku.

Dëshmitarët kanë thënë gjithashtu se një shezlong mund të ketë zbutur pjesërisht rënien përpara se ajo të përplasej në tokë.

Babai i saj, Richard Sargent, tregoi se vajza ndodhet në terapi intensive dhe ka pësuar disa fraktura, por gjendja e saj po përmirësohet.

“Ajo po lufton fort dhe do të jetë mirë”, tha ai, duke shtuar se familja ndihet jashtëzakonisht me fat që vajza mbijetoi.

Pas telefonatës që morën për aksidentin, familjarët udhëtuan menjëherë nga Virginia drejt Georgias.

Policia ka deklaruar se informacionet e mbledhura deri tani tregojnë se bëhet fjalë për një aksident, ndërsa hetimi vijon.

Pas ngjarjes, administrata e kompleksit u kujtoi banorëve se dritaret janë të pajisura me mekanizma sigurie dhe u kërkoi të mos i prekin, heqin apo çaktivizojnë. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur nëse mekanizmi i sigurisë në dritaren nga ku ra studentja ishte aktiv në momentin e incidentit.

Ndërkohë, miqtë dhe studentët e tjerë kanë lënë dhjetëra mesazhe urimi për Kristin, duke i uruar një shërim të shpejtë.

Top Channel