“Një shaka e mërzitshme,” Orban injoron eurodeputetët pasi shpallin Hungarinë një autokraci elektorale 

16/09/2022 22:44

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán tha të premten se e konsideronte “qesharake”  faktin që Parlamenti Evropian kishte miratuar një raport që e quan vendin e tij një “autokraci zgjedhore”.

“E vetmja arsye pse nuk qeshim me të është sepse jemi të mërzitur prej saj. Është një shaka e mërzitshme. Është hera e tretë ose e katërt që ata miratojnë një rezolutë që dënon Hungarinë në Parlamentin Evropian. Në fillim, menduam ishte domethënëse, por tani e shohim si shaka”, tha ai gjatë një vizite në Beograd.

Komentet e Orbanit erdhën një ditë pasi eurodeputetët miratuan me një diferencë të madhe një raport jodetyrues, por shumë simbolik, në të cilin ata deklaruan se Hungaria nuk ishte më një demokraci  funksionale.

Në vend të kësaj, vendi duhet të etiketohet si një “regjim hibrid i autokracisë zgjedhore” në të cilin zgjedhjet mbahen rregullisht, por pa respektuar normat themelore demokratike, thanë ligjvënësit.

Kjo besohet të jetë hera e parë që një institucion i BE thotë zyrtarisht se një shtet anëtar nuk është një demokraci funksionale, një parakusht thelbësor për t’u bashkuar me bllokun.

Në Beograd, Orban hodhi poshtë gjetjet dhe tha se Brukseli duhet të fokusohet më tepër në përkeqësimin e krizës energjetike, të cilën ai e konsideron si pasojë e drejtpërdrejtë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Orban është akuzuar për minimin e unitetit të bllokut në vazhdën e luftës në Ukrainë .

 

Top Channel