Zelensky pëson aksident, si është gjendja e presidentit të Ukrainës

15/09/2022 08:11

Automjeti me të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po udhëtonte teksa ishte nisur drejt një zone të rimarrë nga rusët, është përfshirë në një aksident në Kiev.

Zëdhënësi i kreut të shtetit megjithatë sqaroi se Zelensky ka pësuar vetëm dëmtime të lehta. Njoftimin e tij, Serhii Nykyforov, e bëri në një postim në Facebook. Edhe pse nuk dha detaje të mëtejshme, zëdhënësi sqaroi se makina e Zelenskit ishte përplasur me një automjet privat.

Presidenti u ekzaminua nga një mjek, por nuk u konstatuan lëndime serioze”, ka shkruar ai, ndërsa shtoi se aksidenti do të hetohet. Mjekët që shoqëronin kreun e shtetit i dhanë ndihmën e parë  drejtuesit të automjetit privat dhe e futën atë në një ambulancë. Ndërkohë, rusët goditën me raketa digën e një rezervuari pranë qytetit jugor të Ukrainës, Kryvyi Rih.

Banorëve në disa zona iu kërkua evakuimi, edhe pse sipas kryetarit të bashkisë atje Oleksandr Vilkul, por situata ështe nën kontroll. Pas sulmit ndaj rezervuarit, Zelensky – i cili ka lindur në këtë qytet – e përshkroi Rusinë si një “shtet terrorist”.

“Ju rusët, jeni të dobët që luftoni me civilët. Njerëz që arratisen nga fushëbeteja dhe përpiqen të bëjnë dëm diku tjetër, larg prej andej”- tha Zelensky.

Mësohet sakaq se që në fillimin e konfliktit, i dërguari kryesor i Vladimir Putinit për Ukrainën e kishte njoftuar presidentin rus mbi arritjen e një marrëveshjeje paraprake me Kievin e cila plotësonte kërkesën e Moskës që Ukraina të mos bëhej anëtare e NATO-s.

Por Putini, thotë Reuters, e kishte refuzuar marrëveshjen, sepse donte luftën dhe zgjodhi të vazhdonte fushatën e tij ushtarake thanë tre persona të afërt me lidershipin rus, të cilët kërkuan të mos identifikohen.

Top Channel