Simbolikë biblike, apo…? Përse u zhvendos arkivoli i mbretëreshës në 14:22

15/09/2022 11:18

Simbolika biblike, homazh për George VI apo një planifikim i zgjuar? Ekspertët në Britani po mundohen t’i japin një arsye zhvendosjes së arkivolit të Mbretëreshës nga Buckingham Palace në Westminster Hall pikërisht në orën 14:22 (2:22).

Familja mbretërore e shoqëroi monarken në këmbë në udhëtimin drejt parlament, ku qindra mijëra njerëz do te vazhdojne të bëjnë nderimet e tyre pasi do të qëndrojnë në radhë qe mund te zgjasin edhe për 40 orë.

Arsyeja e saktë e përzgjedhjes së kësaj ore nuk është bërë e ditur nga pallati Mbretëror, duke i dhënë kështu udhë hamendësimeve. Sipas Biblës, numri 222 përfaqëson unitetin, dashurinë dhe mbart një mesazh tejet të rëndësishëm shpirtëror nga vetë Zoti. Ky numër konsiderohet shumë i fuqishëm pasi ndihmon në krijimin e një lidhjeje te ngushte me forcat hyjnore. Nga ana tjetër, pas vdekjes së babait të Mbretëreshës Elizabetë, Mbretit George VI në vitin 1952, këmbanat ranë 56 herë në Windsor – një për çdo vit të jetës së tij – nga ora 13:27 deri në orën 14:22.

Biografi mbretëror Robert Lacey megjithatë ndan bindjen se për të gjithë këtë, mund të ketë një arsye shume më të thjeshtë: organizatoret mbase thjesht donin të siguroheshin se procesioni do të mund të arrinte në Westminster Hall në orën 15:00. Në Londër sakaq, njerëzit janë mbledhur për të dytën ditë më radhe për t`i bere monarkes nderimet e tyre, e nuk ishin të paktë edhe ata që kaluan natën jashtë për këtë qëllim.

“Mendoj se ajo është pjesë e trashëgimisë sonë, pjesë e historisë sonë. Të qenurit këtu për ne është thjesht shenjë respekti”- shprehet një britanike.

Pas një jave intensive që prej vdekjes së mbretëreshës, sot është dita e parë pa një agjendë të ngjeshur eventesh zyrtare. Mbreti Karl pritet ta kalojë atë në qetësi, larg detyrimeve publike, ndërsa Princi dhe Princesha e Wales-it do të drejtohen për në Sandringham, ne Norfolk,  ku do të shohin kurorat e luleve që janë lënë atje nga njerëzit në nderim të monarkes.

Top Channel