Lajçak në Prishtinë “për të çuar përpara dialogun”

15/09/2022 17:30

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se qëllim i vizitës së tij në Prishtinë është “çuarja përpara” e këtij procesi.

Ai tha se me Kurtin ka biseduar për “vazhdimin e dialogut” dhe për takimin e tij të radhës me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel në muajin gusht.

“Takimi i radhës do të marrë kohë derisa të përgatitet”, tha Lajçak.

Nga Bashkimi Evropian, vizita e Lajçakut nuk u paralajmërua më herët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se jo domosdoshmërisht komentojnë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon.

“Këto vizita pune, njësoj si ajo e sotmja në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, tha Stano në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

Lajçak dhe këshilltarët e Qeverisë gjermane e asaj franceze për dialogun qëndruan edhe të premten e kaluar në Prishtinë, ku, po ashtu, takuan Kurtin.

Pas atij takimi, Lajçak tha se bisedimet ishin “të thella dhe të rëndësishme”, por nuk dha detaje.

Tre diplomatët evropianë, javën e kaluar, takuan në Beograd edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç tha se ata i kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun me Kosovën.

“Sipas tyre [diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, tha Vuçiç.

Ai, po ashtu, përsëriti se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë n negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Dy vendet kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Procesi i negociatave duhet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Në Kosovë këmbëngulin që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen reciproke; Serbia, tash për tash, refuzon./REL

Top Channel