Asistencë për çdo person të papunë, edhe të pasurit! Qeveria gjermane miraton lehtësime për qytetarët e saj

15/09/2022 08:30

Qeveria gjermane miratoi reformën e asistencës sociale, një nga projektet më të debatuara në vend.

Tre ishin ndryshimet kryesore që kanë ngjallur diskutimet më të mëdha: rritja e asistencës sociale, heqja e sanksioneve për gjashtëmujorin e parë të marrjes së ndihmës dhe mosprekja e pasurisë që nuk i kalon 60 mijë eurot në dy muaj te parë. Ligji hyn në fuqi më 1 janar 2023, megjithatë më parë ai duhet të marrë edhe dritën jeshile të Bundestagut.

Ky projektligj parashikon një rritje me 12 për qind të ndihmës sociale, duke filluar nga 502 euro për një person që jeton vetëm, plus shpenzimet për banesë, qiranë, ngrohje dhe rrymën.

Rritje do të ketë edhe për grupe të tjera: Për persona të moshë madhore që jetojnë në çift ndihma sociale do të jetë 451 euro për person, për fëmijët në moshat 14-17 vjeçare asistenca sociale do të jetë 420 euro në muaj, kurse për fëmijët në moshat 6-13 vjeçare asistenca do të jetë 346 euro në muaj.

Nga nisma përfitojnë personat që janë regjistruar si punëkërkues. Deri tani, sistemi Hartz IV, parashikonte sanksione, si ulje të ndihmës sociale, nëse punëkërkuesit nuk paraqiteshin në takimet e caktuara nga agjencia e punës (Jobcenter) ose nuk pranonin vendet e punës që u ofroheshin.

Këto sanksione do të hiqen në gjashtë muajt e pare të vitit të ardhshëm. Tanimë, prioritet i Agjencisë së Punës nuk do të jetë medoemos gjetja e një vendi të ri pune, por kualifikimi i mëtejshëm it ë atyre që kërkojnë punë. Projektligji i ri është testuar në një filial të Agjencisë së Punës në Lichtenberg të Berlinit, dhe shumë të prekur thanë se ndjehen më mirë me këtë sistem.

Një tjetër risi ndërkohë përbën fakti që ndihma prek edhe personat në gjendje më të mirë financiare, sepse nga këtej e tutje do të kenë të drejtë të marrin ndihma sociale për një periudhë deri dy vjeçare, edhe individët që kanë deri në 60 mijë euro kursime, plus nga 30 mijë euro për çdo pjesëtar tjetër të familjes.

Top Channel