Pagat janë rritur dhe papunësia është ulur. Ky është realiteti sipas Institutit të Statistikave, i cili në raportin për tremujorin e dytë të 2022-it shprehet se në Shqipëri paga mesatare ka arritur 60.223 lekë, duke u rritur me 7%.

Por, kjo rritje pagash pothuajse është “fshirë” nga inflacioni, i cili nga qershori deri në gusht ka qenë në kufirin e 7-8%.

Sa i përket pagave, INSTAT shprehet se më të paguarit vazhdojnë të mbeten ata në sektorin e aktiviteteve financiare, ndërsa si profesion kryesojnë ligjvënësit dhe drejtorët në shtet apo privat, ndërsa bujqësia vijon me pagat më të ulëta. Gjatë kësaj periudhe punonjësit e montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve kanë pasur rritje më të madhe në paga, ndërsa ata të Forcave të Armatosura më të ulëtat.

Në rritjen e pagave ka ndikuar edhe vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale që hyri në fuqi gjatë tremujorit të dytë. Ndërkohë, sa i përket papunësisë shifrat thoin se ajo është ulur me 1.1% në krahasim me një vit më parë.

Në krahasim me një vit më parë, punësimi është rritur në sektorin e industrisë, në sektorin e shërbimeve, dhe në sektorin e bujqësisë.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,7 % dhe për gratë 11,4 %, ndërsa krahasuar me një vit më parë papunësia është ulur për burrat dhe është rritur për gratë. Edhe për të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç papunësia gjithashtu është rritur.

Ndërkohë gjatë tremujorit të dytë 2022, 10,5 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në këtë grup hyjnë studentët, gratë shtëpiake, me paaftësi të përhershme apo në pension pleqërie të parakohshme.

 

Top Channel