Tunizi/ Gomonia u fundos teksa tentuan të kalonin në Mesdhe, shkon në 11 numri i viktimave, ende shumë të zhdukur

12/09/2022 09:53

Të paktën 11 persona mendohet se kanë humbur jetën në një mbytje së gomones në brigjet e Tunizisë, ndërsa 12 të tjerë janë ende të zhdukur.

Roja bregdetare e Tunizisë shpëtoi 14 persona pasi anija, e cila po transportonte 37 emigrantë në Itali u fundos të martën.

Që prej asaj dite kërkimet për të gjetur të zhdukurit kanë vijuar, ndërsa një ditë më parë u gjetën edhe pesë viktima të tjera.

Më shumë se 1000 emigrantë mendohet se kanë humbur jetën këtë vit duke u përpjekur të kalonin Mesdheun qendror.

Shifrat e publikuara nga agjencia e OKB-së, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin tregojnë se rreth janë rreth 1033 emigrantë të klasifikuar si të vdekur ose të zhdukur, ndërsa 960 mendohet se janë mbytur.

Gomonia tuniziane u nis nga rajoni Sfax dhe u fundos rreth 40 milje më tej në bregun afër Chebba, Mahdia.

BBC shkruan se vija bregdetare rreth Sfax është bërë një pikë kryesore nisjeje për njerëzit që përpiqen të kalojnë Mesdheun me shpresën për të arritur në Evropë.

Ishulli italian i Lampedusa shtrihet midis bregut lindor të Tunizisë dhe Siçilisë dhe shpesh është një destinacion për ata që përpiqen të arrijnë Evropën nga Afrika e Veriut.

Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, ka pasur 52,000 “hyrje të parregullta” përmes rrugës qendrore të Mesdheut midis janarit dhe gushtit të këtij viti, me emigrantë kryesisht nga Tunizia, Egjipti dhe Bangladeshi.

 

Top Channel