Rezultat tmerrësisht i ngushtë, në Suedi nuk shpallet dot fituesi i zgjedhjeve!

12/09/2022 09:29

Rezultati i zgjedhjeve në Suedi ka qenë shumë i ngushtë për të shpallur rezultatin, ka thënë kryeministrja e këtij shteti, Magdalena Andersson.

Në sondazhe fillimisht qe parashikuar fitorja e koalicionit të krahut të majtë në pushtet, por rezultatet më vonë treguan se në fakt, situata mund të përmbyset duke i dhuruar fitoren bllokut të djathtë. Emigracioni dhe kriminaliteti i shtuar kanë qenë dy çështje kyçe të fushatës.

Partia e ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, synon të bëhet partia e dytë më e madhe në vend. E krijuar nga një lëvizje neo-naziste në fund të viteve 1980, partia kundër emigrimit, Demokratët e Suedisë, hyri në Parlament me 5.7 për qind të votave më 2010, duke u rritur më pas në 17.5 për qind më 2018. Këtë herë, synon të fitojë më shumë se 20 për qind.

Megjithatë, lideri i saj, Jimmie Akesson, nuk pritet të bëhet kryeministër edhe nëse blloku i krahut të djathtë fiton numrin më të madh të vendeve ne parlament. Lideri i Partisë së Moderuar, Ulf Kristersson pritet të marrë atë pozitë, nëse Demokratët e Suedisë bëhen pjesë e qeverisë së tij. Procesi i numërimit të të gjitha votave mund të zgjasë deri të mërkurën. Analistë vendas thonë se nga socialiste, Suedia po bëhet nacionaliste.

Anders Lindberg , analist politike suedez: Suedia ka një traditë të gjatë të të qenit liberale. Por duket se nga socialist, tani po shkojmë drejt të qenit nacionalistë. Duhet të kthehemi pas në vitet 30 apo 20 për të parë një rritje të ngjashme të nacionalizmit në Suedi. Është një ndryshim shumë i madh.

Demokratët Socialë të Anderssonit kanë qeverisur Suedinë prej vitit 2014 dhe kanë dominuar skenën politike që prej viteve 1930. Pjesëmarrja në këto zgjedhje besohet se ka qenë e lartë, pasi mbi 80 për qind e popullsisë – 7.8 milionë banorë me të drejtë vote – besohet se kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre. Dhuna e bandavë është kthyer së fundi në shqetësim jo të vogël për suedezët, vendi i të cilëve njihet si i sigurt dhe paqësor.

Top Channel