Ndërprerja e energjisë, Ukraina: Hakmarrje e Rusisë për kundërofensivën tonë!

12/09/2022 10:14

Ukraina e akuzoi Rusinë se po kërkon të hakmerret me sulme kundër infrastrukturës energjetike për dështimin e saj në fushën e betejës. Për Kievin, shënjestrat e goditjes shpaguese ruse përfshinin furnizimin me ujë dhe një termocentral në Kharkiv .

“Nuk ka pasur objektiva ushtarakë, qëllimi i tyre ishte i qartë t`i privonin njerëzit nga energjia elektrike dhe ngrohja”, ka shkruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Twitter. ” Ndërprerja e energjisë ka prekur 135 fshatra dhe qytete; Kharkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë  dhe Donjecku janë tërësisht pa drita e kanë dhe problerme të furnizimit më ujë.  Sulmet ruse erdhën në kohën kur kundërofensiva ukrainase në këto zona ka shënuar sukses; forcat e Kievit thuhet të kenë marrë nën kontroll dhjetëra qyteza e fshatra. Për Zelenskyn, ky avancim mund të shënojë një pikë të mundshme kthese në luftën disamujore të vendit të tij me Rusinë.

Zelensky: Dua të falenderoj trupat tona që kanë çliruar me dhjetëra zona, përfshirë së fundi Izjumin e Kupianskun. Me këto ritme, në dimër ne mund të rimarrim edhe shumë zona të tjera të pushtuara, nëse Ukraina furnizohet me armë moderne.

Sipas të dhënave të Kievit, ushtria ruse po tërhiqet edhe nga pjesët jugore të rajonit Kherson. Shtabi ukrainas bëri të ditur, se pushtuesit ishin larguar nga pozicionet e tyre.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e urdhëroi pushtimin e Ukrainës në 24 shkurt, dhe vazhdon ta cilësojë ofensivën si  “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar vendin fqinj. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Top Channel